"Çohu", kënga e Ramës për fushatën
"Çohu për ndryshim". Ky është mesazhi i këngës që kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe grupi "West Side Family" shpalosën dje para publikut. Teksti me tone thirrëse, gati imponuese, paraqitet si një nevojë e domosdoshme për të realizuar ndryshimin në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Suksesi i gjashtë viteve më parë me këngën "Tirona" e ka bindur Edi Ramën që të thërrasë sërish djemtë e grupit për të realizuar një tjetër këngë. Këtë herë përtej vijës së verdhë të kryeqytetit. Të bindur se me "Tironën" ndryshuan kryeqytetin, Rama dhe djemtë e grupit besojnë se me "Çohu" do ta ndryshojnë Shqipërinë. Duke pohuar se kënga përfaqëson ndjenjën e ndryshimit, Rama u tregua mjaft i rezervuar për të dhënë detaje për këngën, duke ia lënë çdo element tjetër hapjes së fushatës elektorale, nesër në mbrëmje. Ai, së bashku me djemtë e grupit, shfaqën para gazetarëve vetëm një pjesë të këngës, e cila nisi me zërin e Edi Ramës. Një mesazh i drejtpërdrejtë për atë çfarë synon kryesocialisti: "Do ta fitoj këtë garë bashkë me ju…". "Është një këngë, e cila është pjesë e asaj fryme që tanimë ne e ndiejmë dhe e përçojmë njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë, frymën e ndryshimit dhe vijmë për t‘u çuar", tha Rama. Kënga është një thirrje për të gjithë shqiptarët, duke lëshuar mesazhin sensibilizues, se përtej gjithçkaje është vetë Shqipëria. "Çohu minator! Çohu malësor, është koha të vendosësh, e ke ti në dorë, çohu shqiptar të vendosësh ti, përtej të gjitha gjërave ka vetëm një Shqipëri", është një tjetër pjesë e refrenit të këngës "Çohu". Më tej, djemtë e grupit shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e dytë me Ramën. "Doktor Flori", një prej anëtarëve të grupit, deklaroi mbështetjen për filozofinë që udhëheq kryesocialistin në misionin e tij për të ndryshuar Shqipërinë. "Është momenti që t‘i marrim ne vetë fatet tona në dorë, të mos ua lëmë politikanëve që të tallen. Kjo është e vërtetë, është e vërtetë se çdo njeri në lagje, në rrugë, e ndiejmë nga bisedat e përditshme, e mendon dhe e dëshiron", tha Flori. Ndërsa anëtari tjetër i këtij grupi, Landi, u shpreh se "kënga ‘Tirona‘ ishte një ogur shumë i mirë për gjithë tironsit, duke besuar se kjo këngë do të jetë një ogur shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. Kënga flet për politikën e vjetër, plakë, të sëmurë, që na ka lënë pas dore dhe fakti më i habitshëm është çështja e vizave, që të gjithë po hyjnë, vetëm ne po stërzgjatemi, e po stërzgjatemi. Është momenti për t‘i thënë boll kësaj politike, është momenti për t‘i thënë boll, pavarësisht i majtë apo i djathtë, të gjithë shqiptarët duhet të votojnë ndryshimin, të gjithë shqiptarët duhet të votojnë Edi Ramën", u shpreh ai. Anëtari tjetër i grupit, Miri, tha se "me muzikën tonë do të shprehim shumë dhe do ta ndryshojmë këtë vend".