E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monitorim financimit të partive

Partitë politike do të monitorohen për shpenzimet e fushatës elektorale. Fondacioni SOROS, në bashkëpunim me IDRA-n dhe Forumin e Mendimit të Lirë, do të monitorojnë pesë parti politike PD, PS, LSI, PR dhe G99 dhe do të publikojë pas zgjedhjeve një raport për financimin e partive politike dhe transparencën e tyre. Më në fund, në Shqipëri, fushata do të monitorohet edhe për shpenzimet e fushatës. Partitë politike do të survejohen sesa para do të shpenzojnë dhe a përputhen fondet që ata marrin nga buxheti i shtetit dhe donatorët e ligjshëm. "Mënyra e monitorimit do të bëhet përmes survejimit të reklamave. Duke përdorur metodat investiguese ne do të llogaritim kostot e tyre dhe do t‘i ballafaqojmë ato", tha drejtoresha e programeve të SOROS, Mimoza Gjika. Ajo theksoi se kjo formulë do të marrë parasysh edhe Kodin Zgjedhor. Tema e financimit të partive ka qenë gjithmonë një temë delikate, e cila, megjithëse është përfolur shumë kohët e fundit, nuk ka gjetur një zgjidhje të mirëfilltë dhe të qartë. Partitë politike vazhdojnë të fshehin të ardhurat e tyre, duke mos u treguar transparent në këtë proces. Fondacioni SOROS do të monitorojë të ardhurat që pesë partitë më të rëndësishme në Shqipëri do të përdorin për spotet publicitare, mitingjet dhe tubimet elektorale që do të bëjnë në Tiranë dhe rrethe. Deklaratat për fillimin e këtij projekti janë bërë me dije dje, ku Fondacioni SOROS dhe IDRA kanë bërë të qartë se do të vëzhgojnë partitë politike vetëm dy ditë përpara se fushata elektorale të fillojë në mënyrë zyrtare. Nën vëzhgim, do të jenë pesë forca politike, Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, G99 dhe Partia Republikane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›