E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompania amerikane PSB, në fushatën e demokratëve

Kompania amerikane "Penn, Schoen and Berland Associates"

do "kurojë" imazhin e PD-së për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime pranë selisë blu pohojnë për "Shqip" se ekipi i kësaj kompanie është kontraktuar nga kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani, dhe zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht ministre e Integrimit, Majlinda Bregu. "Penn, Schoen and Berland Associates", ose PSB, është një agjenci konsulence që operon në treg prej 30 vitesh dhe është e specializuar që të japë leksione të fushatës elektorale politike. Kjo kompani ka "kuruar" imazhin e liderëve ndërkombëtarë si Bill Klinton dhe Toni Bler. Në arenën politike, PSB ka shumë eksperiencë, të fituara nga kompeticionet elektorale. Sipas të dhënave të shkruara në faqen zyrtare të agjencisë PSB, kjo kompani ka fituar betejat e tre të katërtave të klientëve të saj dhe ka punuar si këshilltare strategjike për ish-presidentin Bill Klinton, kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Majk Blumberg, dhe ish-kryeministrin e Britanisë, Toni Bler. Në ekipin që do të kujdeset për imazhin e demokratëve janë edhe ekspertë të partive evropiane popullore. Vlen të theksohet se PSB është bashkëpunëtore e kërkimeve për studimet e rëndësishme të Hollivudit. Janë 200 ekspertë të cilët punojnë në qelizën e kësaj kompanie, zyrat e së cilës ndodhen në Uashington, Nju Jork, Londër, Hong-Kong, Los Anxhelos, San Francisko dhe Denver. Partia Demokratike për fushatën elektorale pritet të marrë më shumë se një kompani për administrimin e aktiviteteve, ku njëra do të merret me konsulencat dhe tjetra me sondazhet. Burime pranë PD-së bënë me dije se në lojë aktualisht ndodhet edhe një kompani irlandeze. Koha që PD ka në dispozicion për zgjedhjen e kompanisë tashmë është e limituar për shkak se fushata elektorale fillon zyrtarisht më 28 maj. Selia e demokratëve ka preferuar t‘i mbajë sekret detajet e kompanisë që do angazhohet për zgjedhjet e 28 qershorit, megjithëse prezenca e konsulentëve të huaj nga kompania PSB dhe Parlamenti Evropian popullor kanë qenë tregues i mjaftueshëm se cilët do të jenë të huajt që do të kthehen në "trurin" e fushatës për të "qeverisur" demokratët gjatë muajit në vazhdim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›