E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha optimist: Brenda vitit 2010, shqiptarët do të lëvizin pa viza

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, garantoi edhe njëherë shqiptarët se në vitin 2010 do të lëvizin lirshëm pa viza në të gjitha vendet e BE-së. Duke bërë komentin e raportit të fundit të KE-së dhe vlerësimin pozitiv mbi të, ministri i Jashtëm shqiptar theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet që kanë bërë progres të dukshëm. Sipas Bashës, Shqipëria dallon nga të gjitha vendet e tjera të rajonit për shpejtësinë e progresit të arritur, krahasuar me gjendjen e katër viteve më parë. Ndonëse 4 vite më parë, tha Basha, ne u nisëm nga një stad shumë më i prapambetur se çdo vend tjetër i rajonit. Duke u ndalur në mënyrë më të detajuar, ministri Basha theksoi se blloku i parë, që lidhet me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, konstaton se Shqipëria ka shënuar progres në lidhje me procesin tërësor të ngritjes së infrastrukturës dhe aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve, të cilët janë të sigurisë së lartë dhe në përputhje me standardet evropiane. Sipas Bashës, Shqipëria ka shënuar progres në menaxhimin e kufirit, azilit dhe migracionit, që përbëjnë edhe fokusin e bllokut të dytë të udhërrëfyesit. Shqipëria ka ngritur bazën ligjore dhe kapacitetet operacionale, ndërkohë që autoritetet kompetente kanë demonstruar ndërgjegjësim të lartë dhe i kanë kushtuar rëndësi madhore progresit në këtë fushë. Sipas tij, programi për antikorrupsionin në politikën e menaxhimit të kufijve është duke u zbatuar me sukses. Po kështu, tha ministri i Jashtëm, sistemi i azilit është plotësisht funksional. Shqipëria, vijoi ministri, ka shënuar progres në lidhje me bllokun e tretë, për rendin ligjor dhe sigurinë. Ministri i Jashtëm ka kritikuar qëndrimin e opozitës dhe kryetarit të saj Rama, duke thënë se "Rama sot rreket më kot të mbulojë diellin me shoshë". Por nuk ndajnë të njëjtin mendim me ministrin e Jashtëm G99 dhe ZMQ. Sipas G99-ës, qeveria ka dështuar në plotësimin e standardeve për liberalizmin e vizave dhe KE i dha ndëshkimin qeverisë, ndëshkim që bie edhe mbi shqiptarët, për shkak të keqqeverisjes së Berishës. Ndërsa ZMQ-ja tha se Shqipëria mbeti e izoluar si 18 vjet më parë, për faj të qeverisë "Berisha", e cila nuk plotësoi standardet e kërkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›