E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmetaj: E vërteta e përplasjes me prokuroren

E ka të vështirë të besojë se gjithçka është bërë në mënyrë diskrete dhe pa kurrfarë dijeni të tij deri më dje, por gjithsesi nuk çuditet se si në këtë vend njerëz me influencë shfrytëzojnë postet e tyre për t’iu shmangur ligjit. Krenar Ahmetaj, kreu i Komisariatit të Policisë Rrugore në kryeqytet, sapo ka mësuar se gjykata do të vendosë sot për pezullim apo jo nga detyra, pasi akuzohet se “ka vepruar me arbitraritet gjatë detyrës dhe kjo, si pasojë e një kallëzimi nga dy persona që vetëm pak javë më parë janë bërë protagonistë të një incidenti me Policinë Rrugore”. Bëhet fjalë për prokuroren e Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri dhe bashkëshortit të saj, punonjës si avokat në zyrën e Avokatit të Popullit, Agron Bajri, por që për kryepolicin e Rrugores këta emra i kujtojnë vetëm fyerjet e rënda ndaj personit të tij, kolegëve të tjerë, e deri tek kundërshtimet dhe kërcënimet ndaj punonjësve të Rendit në detyrë. Për Ahmetajn, çdo gjë është fryt i shkeljes me flagrante të ligjit, për më tepër nga persona që ndodhen nën petkun e detyrave të rëndësishme dhe që me çdo mënyrë abuzojnë, jo vetëm me ligjin ku i preken interesat. Duke kujtuar se ngjarja është e dokumentuar në procesverbalet e policisë dhe se në këtë rast policia ka zbatuar vetëm ligjin, në një bashkëbisedim për “standard”, shefi i Rrugores ka folur me detaje për ngjarjen.

Zoti Ahmetaj, kur ka ndodhur ngjarja për të cilën ju akuzojnë?

Gjithçka ka ndodhur tre javë më parë, pikërisht ditën e ndeshjes derbi të kampionatit shqiptar, kur një punonjës i komisariatit tim i ka bërë shenjë të ndalojë një makine me ngjyrë të kuqe.

Për çfarë kontrolli bëhej fjalë?

Ishte thjesht dhe vetëm një kontroll rutinë nga punonjësi i Policisë Rrugore.

Ju ishit i pranishëm në vend?

Meqenëse atë ditë luhej dhe ndeshja derbi e futbollit, unë isha në terren si pasojë e masave policore që kishim vënë. Rastësisht, duke kaluar përgjatë bulevardit “Bajram Curri”, më saktë tek dy “Kullat binjake”, pashë një punonjësin tim që po debatonte me një grua. Nuk ndalova. Por në radio i kërkova punonjësit të policisë të mos debatonte me qytetaren.

Çfarë bëtë në këtë moment?

Kur kalova pashë se në timon ndodhej një zotëri që më pas doli se ishte vëllai i zonjës që ndodhej në vendin e pasagjeres. Unë u largova dhe ngjarjen e pashë vetëm shkarazi.

Çfarë ndodhi më pas?

Pas disa minutash, zonja më arriti me makinë kur unë ndodhesha rrugës, pikërisht tek Libri Universitar. Ishte gjëja më e pazakontë që më ka ndodhur ndonjëherë, pasi me një fjalor banal ajo filloi të fyente punonjësin e Policisë Rrugore që i kishte kërkuar dokumentet. Veç ankimeve, zonja përsëriste se ishte prokurore. Në këtë moment, i thashë i qetë: “Çfarë problemi keni zonjë, hajdeni ta sqarojmë”?. Ajo përsëri nuk më tregoi asnjë dokument, por vazhdonte të më thoshte se “A e di kush jam unë?”.

Po çfarë ndodhi me punonjësin e policisë?

Ai më tregoi se para se të largohej ajo kishte zbritur nga makina dhe i ka marrë letrat policit nga dora me pretendimin se ishte prokurore. Na tha se ishte prokurore, por që në fakt nuk na tregoi asnjë dokument për të vërtetuar një gjë të tillë.

Dhe çfarë ndodhi më pas?

Unë u ktheva përsëri tek ura për të takuar punonjësin tim. Në këtë moment, vjen një fuoristradë me timon në krah të kundërt, makinë angleze. Nga brenda më thërret një zotëri dhe më kërkon t’i kushtojë vëmendje.

Bashkëshorti i saj, ashtu siç tha, doli nga makina dhe na u drejtua të dyve, policit që ishte me shërbim në atë vend. Fyerje të rënda e banale ndaj nesh, reagime nga të më ndryshmet, duke kujtuar vendet e tyre të punës si prokurore, apo avokat pranë zyrës së Avokatit të Popullit.

Si vepruat?

Gjatë gjithë kësaj kohe jam munduar të ruaj gjakftohtësinë, këtë gjë i kam kërkuar edhe kolegut tim. Më pas, kërkova në radio përforcime, pasi gjendja po degradonte deri në kërcënime fizike nga personi që drejtonte automjetin.

Në këtë moment kërkova të shoqërohej në komisariat, duke i përmendur të drejtat e tij në kësi rastesh. Me ardhjen e patrullës, u dhashë urdhër për shoqërimin dhe pas kësaj i vumë prangat dhe e shoqëruam.

Po më pas?

Më pas gruaja është futur në makinë me dhunë, por unë i thashë se nuk mund të qëndronte aty, pasi nuk ishte ajo objekt i shoqërimit, por i shoqi. Ky i fundit gjatë kohës që ndodhej në makinën e policisë vazhdonte të shante dhe të bërtiste. Pasi ajo nuk deshi të zbriste, unë duke ruajtur qetësinë vendosa që të shkonte me makinën e policisë deri te dera e komisariatit, ku edhe mendova se do të zbriste nga makina dhe ashtu ndodhi. Këtu unë bëra denoncim ndaj të shoqit të saj, pasi mua më duhet të mbroj uniformën dhe punonjësit e policisë të cilët ai i fyeu.

Çfarë ndodhi pas kësaj?

Bashkëshortin e kemi shoqëruar dhe e kemi mbajtur për rreth katër orë në komisariat për kundërshtim dhe fyerje të forcave të Rendit. E gjitha ngjarja është e pasqyruar në raportin dhe procesverbalin e policisë sonë. Mund të them se personi i shoqëruar rezulton të ketë edhe 4-5 raste të tjera të ngjashme, konflikte me policinë dhe për këto ka marrë ndjekje penale në gjendje të lirë.

Reagimi

Prokurorja: Polici na fyeu, pretendonin se ne ishim të dehur

"Në momentin e ndalimit, polici rrugor na fyeu. Në kërkuam ndihmën e eprorit të tij, Ahmetaj, por ky i fundit kur erdhi fliste në celular apo në radio në gjuhën turke dhe kjo na habiti. Kur insistuam që të na sqaronte situatën, ai urdhëroi një shërbim policie rendi që të na shoqëronte në komisariat”. Këto janë disa nga pretendimet e prokurores së Krimeve të Rënda, Elizabeta Bajri dhe bashkëshortit të saj, avokatit Agron Bajri për incidentin e ndodhur. Sipas tyre, gjithçka ka ndodhur në orën 20:30 të mbrëmjes, kur prokurorja së bashku me të vëllain kanë marrë nga një vizitë në spital mamanë e tyre, për ta dërguar në shtëpi. Pikërisht përballë "Dy kullave", polici rrugor u ka bërë shenjë me tabelë që të hapnin krahun. Sipas prokurores, fillimisht polici ka debatuar me vëllain e saj në timon. Sakaq, ndonëse makina ishte me dokumentacion të rregullt dhe nuk kishin konsumuar ndonjë kundërvajtje rrugore, polici mbante të bllokuara dokumentet e automjetit, ndërsa pas 20 minutash ajo i është prezantuar policit. Në fakt, nga të dyja palët pretendohet se janë ofenduar fillimisht nga njëri-tjetri.

Prokuroria

Kërkohet pezullimi i Krenar Ahmetajt

Pas incidentit të ndodhur tre javë më parë mes prokurores së Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri dhe shefit të Qarkullimit Rrugor në Tiranë, Krenar Ahmetajt, Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë kërkesën për pezullimin nga detyra të këtij të fundit. Kërkesa është dorëzuar një ditë më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë me akuzën e

kryerjes së veprime arbitrare, gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas burimeve nga organi i akuzës, ka qenë kallëzimi i prokurores së Krimeve të Rënda dhe të bashkëshortit të saj, ndaj Ahmetaj dhe vartësit të tij A. Balla, me pretendimin se janë shoqëruar me forcë në komisariatin numër 2 të policisë së Tiranës, ku janë mbajtur për 4 orë. Ndërkohë, mësohet se edhe kryepolici i Rrugores, Ahmetaj dhe vartësi i tij, Balla, kanë kryer kallëzim penal për kundërshtim dhe fyerje ndaj tyre gjatë zbatimit të detyrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›