E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e pezullon nga detyra, Krenar Ahmetaj merret nën hetim

Krenar Ahmetaj pezullohet nga detyra dhe merret nën hetim nga Prokuroria. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Tiranës, e cila pas disa orësh seancë, vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës. Vendimi i gjykatës do t’u përcillet tashmë autoriteteve përkatëse në Ministrinë e Brendshme, të cilat do të bëjnë ekzekutimin e tij. Gjatë seancës së masës ndaluese, prokurori Ervin Karanxha paraqiti kërkesën me argumentet përkatëse, bazuar në kallëzimet penale të tre shtetasve, të cilët akuzojnë shefin e komisariatit të rrugorëve të Tiranës për kryerje të veprimeve arbitrare. Vetë Ahmetaj, i pranishëm në sallën e gjyqit, ka mohuar kryerjen e veprimeve të deklaruara nga denoncuesit, duke shpjeguar se personat e shoqëruar në komisariat kanë fyer dhe sharë punonjësit e Policisë Rrugore dhe vetë atë, duke kundërshtuar ata gjatë ushtrimit të detyrës. Togat e zeza, pasi kanë dëgjuar argumentet e dy palëve, kanë pranuar kërkesën e organit të akuzës, duke vendosur pezullimin nga detyra të shefit të komisariatit të Policisë Rrugore për kryeqytetin, Krenar Ahmetaj, dhe duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme ekzekutimin e këtij vendimi.

Kërkesa e depozituar në gjykatë nga organi i akuzës e ka zanafillën tri javë më parë, pas një incidenti mes një punonjësi të Policisë Rrugore dhe çiftit Elisabeta Bajri (Ymeri) me detyrë prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Agron Bajri, bashkëshorti i saj me profesion avokat, dy të fundit të shoqëruar në komisariatin e Policisë Rrugore. Shefi i këtij komisariati, Krenar Ahmetaj, i cili urdhëroi shoqërimin për në komisariat të burrit të prokurores, pasi ishte i dehur dhe kundërshtoi punonjësit e policisë, u akuzua nga çifti Bajri se i kishte shoqëruar me dhunë të dy në komisariat. Ahmetaj e mohoi publikisht dhe në sallë të gjyqit një fakt të tillë, duke sqaruar se kishte urdhëruar shoqërimin vetëm të avokatit Bajri, i cili ishte në gjendje të dehur dhe që debatoi me punonjësin e policisë. Sipas tij, prokurorja ka hyrë me forcë në makinë duke shoqëruar të shoqin. Shefi i komisariatit ka deklaruar se çifti Bajri është sjellë mjaft keq me punonjësin e policisë dhe vetë atë.

Detaj

3 janë kallëzimet penale për shefin e komisariatit rrugor Krenar Ahmetaj, dy nga çifti Elisabeta e Agron Bajri dhe nga një qytetar nga Durrësi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›