E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në takimin me ministrin Alibeaj, Busek:

Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, z. Erhard Busek, përgëzon ministrin e Drejtësisë për hapat e ndërmarrë në ndryshimin e ligjeve me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend dhe reduktimin të korrupsionit. “Qeveria shqiptare po bën përpjekje maksimale për t’i realizuar objektivat. Në takimin që pata me biznesin këtu dje, kam dëgjuar kritika për sistemin gjyqësor, por dua t’ju them se është shumë më e lehtë për të ndryshuar një ministër sesa mentalitetin e një gjyqtari”, - është shprehur koordinatori Busek, gjatë një takimi që pati në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë me ministrin Enkelejd Alibeaj. Gjatë takimit, Busek vlerësoi ecurinë e reformës në drejtësi, duke shprehur interes për iniciativat ligjore që po ndërmerren më qëllim krijimin e një klime investimesh më të favorshme të biznesit në Shqipëri. Ministri Alibeaj e informoi gjatë takimit z. Busek për progresin e bërë në ndryshimin e disa ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me organizimin e gjyqësorit, por edhe për disa ndryshime ligjore që do të përmirësojnë më tej klimën e biznesit në vend. “Dhe pse është e vonuar në kohë, në ndihmë të përmirësimit të klimës së biznesit, jemi duke hartuar ligjin për gjykatat administrative. Kjo është një iniciativë ligjore që rregullon më tej marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit”, - u shpreh ministri Alibeaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›