Gjendet i vdekur tek shinat e trenit shefi i Financës së paraburgimit
Gjendet i vdekur në rrethana të paqarta shefi i sektorit të Financës dhe Buxhetit të dhomave të paraburgimit në komisariatin e policisë së Tropojës. Hysen Haxhiaj, 44 vjeç nga Tropoja, është gjendur pa jetë orët e para të mëngjesit të djeshëm nga kalimtarë të rastësishëm rreth orës 08.30 të cilët kanë lajmëruar policinë.
Në vendngjarje, ekspertët e kësaj të fundit kanë konstatuar se trupi ishte pa jetë dhe kështu e kanë nisur në drejtim të morgut pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë për të kryer procedurat e nevojshme.
Megjithatë, nga të dhënat e para të policisë është pohuar se vdekja dyshohet të jetë aksidentale, pasi 44-vjeçari kishte tentuar të kalonte përmes shinave të trenit në momentin që ky i fundit ishte duke kaluar. Për këtë, policia ka marrë në pyetje drejtuesit e lokomotivave, të cilët kanë pasur turnin e udhëtimit në atë orar. Në pyetje janë marrë edhe personat që kanë parë të parët trupin e pajetë të financierit të policisë.
Veç kësaj, policia ka ngritur një grup special pune që do të merret për zbardhjen e kësaj çështjeje dhe sipas saj, ekspertiza mjeko-ligjore pritet të thotë fjalën përfundimtare.
Ka qenë ora 08.50 kur policia ka marrë njoftimin se është gjendur i vdekur një shtetas në stacionin elektrik të uzinës Dinamo në afërsi të shinave të trenit në Tiranë. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë shërbimet policore, nga ku u formua grupi hetimor, për të sqaruar rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje. Sakaq, hetimet konkluduan se viktima ishte 44-vjeçari Hysen Haxhiaj nga Tropoja, me detyrë shef i Financës dhe Buxhetit, pranë dhomave të paraburgimit në këtë rreth.
Sipas policisë, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes nga grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje, paraprakisht u konkludua se vdekja e Haxhiajt është aksidentale, pasi viktima ka kaluar nëpërmjet shinave të trenit, përgjatë momenteve të ecjes së trenit në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.
Megjithatë, trupi i pajetë i shefit të sektorit të Financës dhe Buxhetit të paraburgimit të komisariatit të policisë së Tropojës, Hysen Haxhiaj, do t’i nënshtrohet ekspertizës, për të përcaktuar në këtë mënyrë shkaqet që kanë sjellë vdekjen e tij. Ndonëse të dhënat e para flasin për një vdekje në mënyrë aksidentale, gjithsesi, kjo nuk është përfundimtare. Burime nga policia kanë bërë me dije se rezultatet do të thonë fjalën e fundit rreth shkaqeve të vdekjes. Nga ana tjetër, policia ka ngritur një grup special, që po merret me hetimin e ngjarjes.