E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatime Goga ; Kërcënohet kryetarja e Komunës së Ndroqit

Nuk ka mjaftuar vetëm gërmimi natën i shtratit të lumit Erzen për nxjerrjen e zhavorrit, që drejtuesit e një firme fantazmë të fyejnë dhe kërcënojnë kryetaren e fshatit Ndroq, Fatime Goga. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, teksa kjo e fundit ka shkuar të kontaktojë drejtuesit e firmës, kur ka ndeshur në rezistencën e tyre.

Për këtë arsye, Goga ka bërë një kallëzim penal në komisariatin e policisë nr. 6 në kryeqytet, ndërsa çështja tashmë mësohet se i ka kaluar prokurorisë. E kontaktuar nga gazeta për këtë çështje, kryetarja e Komunës së Ndroqit është shprehur se një firmë ose më saktë e ashtuquajtur firmë (pasi nuk na ka treguar asnjë dokument të vetëm deri më sot), po gërmon shtratin e lumit në mënyrë të paprecedentë. Sipas saj, të premten në darkë ka shkuar te përfaqësuesit e kësaj “firme” dhe u ka kërkuar dokumentacionin me të cilin mbështetnin aktivitetin e tyre. Sipas Gogës, kontakti me ta ka qenë në zonën e Gërbëlleshit fare pranë shtratit të lumit, por aty ka thënë se është trajtuar sikur të ishte një kalimtare dhe jo një përfaqësuese e pushtetit vendor. Ndër të tjerash, Goga është shprehur se kërkon vetëm zbatimin e ligjit. Sipas saj, ndonëse reagimi nga instancat përgjegjëse shtetërore ka qenë deri më tani thuajse i munguar, personalisht nuk do të reshtë së kërkuari vendosjen e ligjit lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›