E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia ; Grada të reja për drejtuesit e policisë

Këshilli i Ministrave ka vendosur të bëjë ndryshime në vendosjen e gradave për drejtuesit e policisë. Pas këtij vendimi, të gjithë drejtorët e policisë në qarqe dhe ata të Drejtorisë së Përgjithshme, kanë marrë gradat “Drejtues i parë”. Lidhur me çështjen në fjalë në bazë të vendimit, ka nisur puna për përshtatjen e gradave me funksionin për disa drejtorë, të cilët nuk kanë vjetërsinë e duhur në punë. Ndërkohë, burimet nga policia bënë të ditur se ka nisur ndryshimi i gradave, pasi më 11 qershor pritet ndryshimi i gradave për të gjithë strukturat. Sipas të njëjtave burime, thuhet se fillimisht po bëhet ndryshimi i gradave për të gjithë drejtorët e policisë në qarqe, ata do të marrin gradën “Drejtues i parë”. Ndërkohë, këtë gradë do e përfitojnë edhe drejtorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kësaj, ndryshimi i gradave ka sjellë edhe probleme në polici. Nga të dhënat, rezulton se disa prej drejtorëve në Drejtorinë e Përgjithshme nuk e plotësojnë vjetërsinë në polici për të përfituar gradën për funksionin që kanë. Kështu, krerët po mendojnë për ndryshime përkatëse në këtë aspekt, me qëllim rregullimin e strukturës pa krijuar probleme shqetësuese. Sipas policisë, thuhet se nëse do të jetë e nevojshme, këta persona mund ta ndryshojnë pozicionin e tyre, duke u emëruar në detyra të tjera dhe në vend të tyre të sillen persona që kanë vjetërsinë e duhur për gradën në fjalë. Ndërkohë, siç dihet, punonjësit e policisë, të cilët kryejnë detyra jofunksionale, nuk do të pajisen me gradë. Sipas propozimit të Policisë së Shtetit, këta mund të paguhen si administratë civile, duke përjashtuar mundësinë e marrjes e gradës së paraqitur nga Këshilli i Ministrave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›