E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmetaj: “Qeveria rrit borxhin publik për shkak të zbrazjes së buxhetit të shtetit”



Partia Socialiste shpreh shqetësimin se buxheti i shtetit vazhdon të përkeqësohet, pasi qeveria po shpenzon gjithmonë e më shumë. Sipas deputetit Arben Ahmetaj, borxhi publik i vendit ka arritur në fund të vitit 2009 në vlerën 6.6 miliardë dollarë. Ai sqaron se çdo familje, në datën 1 janar 2010 është gdhirë me një borxh prej 8700 dollarësh, ndërsa çdo shqiptar, në datën 1 janar është gdhirë me një borxh mbi 2000 dollarë. “Makutëria e këtij pushteti nuk mjaftohet me kaq. Edhe 38 mijë fëmijët e lindur në vitin 2009 i ka ngarkuar më një borxh prej 2000 dollarësh secilin”, - u shpreh Ahmetaj.
Deputeti socialist u shpreh se, sipas pritshmërive të qeverisë, borxhi do të vazhdojë të rritet edhe këtë vit, ku çdo shqiptari do t’u shtohen 300 dollarë më shumë borxh, duke e çuar borxhin në fund të këtij viti për çdo familje prej katër vetash në 10 mijë dollarë.
“Qeveria refuzon të kuptojë ndryshimin mes Shqipërisë reale dhe asaj virtuale. Në Shqipërinë reale çdo shqiptar është sot i rënduar nga rritja e çmimeve të ushqimeve, rritja e faturave të energjisë e ujit, nga rritja e papunësisë, nga frika dhe pasiguria e përditshme e humbjes së vendit të punës. Ndërsa e dimë mirë se 10 mijë dollarë borxh për familjen Berisha nuk janë asgjë, ato janë një barrë e papërballueshme për çdo familje tjetër, të cilave po u bëhet çdo ditë e pamundur mbijetesa”, - u shpreh deputeti Ahmetaj.

21 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›