Rama: “Takimi Berisha-Nano në Vjenë nuk përbën asnjë lajm”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje, në një deklaratë për shtyp nga selia rozë, e ka ironizuar takimin Berisha-Nano në Vjenë duke u shprehur se nuk përbën lajm. Mbi darkën në Vjenë të kreut të Ekzekutivit me ish-kryetarin e PS-së, Fatos Nano, Rama ka ironizuar: “Është shprehje e faktit që në Vjenë nuk ka krizë. Vetëm ju, për arsye të shitjes së lajmit dhe gazetës, mund të gjeni diçka të re në këtë. Për mua nuk ka asnjë gjë të re”, - i është përgjigjur Rama pyetjes së gazetares. Më tej, kreu i socialistëve është ndalur te situata e rënduar ekonomike, për të cilën PS-ja është fokusuar prej kohësh. Në këtë situatë të rënduar ekonomike që Rama bën përgjegjëse keqqeverisjen, ai apeloi për protestën e madhe të opozitës më 30 prill. Ai tha se 30 prilli do të jetë dita kulmore e protestave të përditshme që po zhvillohen kudo për hapjen e kutive të krimit elektoral dhe 1 maji do të gdhijë si dita e betejës qytetare për nxjerrjen e ekonomisë së vendit nga kutia e një krize që e thelljonë përditë pushtetarët dhe e paguajnë në fund të çdo muaji qytetarët.
Deklarata
Opozita e sheh ndryshe nga maxhoranca zhvillimin e ekonomisë në vend. Kreu i PS-së ka përgënjeshtruar deklaratën e kryeministrit Sali Berisha për rritjen e ekonomisë. “Zoti Berisha foli për suksese imagjinare pikërisht në ditën kur u provua publikisht se vetëm në tre muajt e fundit, 71 mijë veta kanë humbur vendin e tyre të punës. 80 mijë vende pune premtoi zoti Berisha kur kërkoi votën e shqiptarëve dhe pasi u grabiti votën ka nxjerrë në rrugën e papunësisë mbi 100 mijë njerëz në më pak se një vit”, - u shpreh Rama. Mbështetur mbi dokumentet e Bankës së Shqipërisë, Rama tha se rritja ekonomike e vitit 2009 ka qenë jo më shumë se 0%, ndërsa rritja e papunësisë është një tendencë e pandalshme shkatërruese për ekonominë e familjeve të pambrojtura dhe se investimet publike apo private janë në rënie të vazhdueshme. “Kjo e keqe i ka rrënjët te kutitë e mbyllura të votimit dhe fajtori i vetëm për këtë gjendje alarmante të demokracisë e të ekonomisë së vendit është keqqeverisja që duhet ndalur me çdo kusht. Protestat janë mjeti që populli ka në dorë për të zmbrapsur fuqinë abuzive të një qeverie të pushtetarëve që kërrus përditë kurrizin e qytetarëve me korrupsion e varfërim”, - tha Rama.
Vizat
Kryesocialisti Rama nuk është optimist për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për shqiptarët. Ai shprehet se Shqipëria rrezikon edhe një 6-mujor pa heqje vizash. “Zoti Berisha u tha se nuk e mori vesh në Bruksel se kur do të liberalizohen vizat për shqiptarët dhe këtë ai e quan një vizitë të suksesshme, ndërkohë që deri para pak javësh i siguronte njerëzit se këtë verë do të dilnin nga kufijtë pa viza”, - tha Rama, duke shtuar: “Me sa duket, edhe një gjashtëmujor tjetër po digjet pa heqje vizash, sepse ky pushtet që u ka vënë vizën parimeve e vlerave më elementare të qeverisjes në demokraci, nuk është në gjendje t’u ofrojë njerëzve asgjë më shumë sesa zhgënjim, ndërkohë që duke i gënjyer pa pushim vijon të rrijë në këmbë për të grabitur sa të mundet, ku të mundet e çfarë të mundet”.
Ngjela dhe Ndoka komentojnë takimin Berisha-Nano në Vjenë
Takimin Berisha-Nano e kanë komentuar kryetari i partisë “Ligj dhe drejtësi”, Spartak Ngjela dhe kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Me takimin e tij me ish-kreun e socialistëve, Fatos Nanon, kryeministri Sali Berisha tregoi se po kërkon një kamerdare për t’i shpëtuar reagimit opozitar, sipas aleatit aktual të socialisteve Spartak Ngjela. “Mendoj se mund të jetë një fuçi shpëtimi në det. Nga një det me tallaz nuk mund të shpëtosh dot me një kamerdare makine. Deti është shumë i tërbuar. Nano është jashtë sferës politike aktualisht”, - tha Ngjela. Ndërsa për demokristianin Ndoka, takimi me Fatos Nanon tregon se akuzat 20-vjeçare mes të dyve kanë qenë gënjeshtra. “Akoma zoti Berisha e ka mendjen te ish-kryeministri Nano, të cilin e ka luftuar për një histori 20-vjeçare, e ka burgosur, e ka akuzuar mafioz, hajdut, kriminel, si vrasësi i liderit të Dhjetorit Azem Hajdari dhe shkon e ha darkë me të, me një ish-kryeministër, i cili është emigrant diku jashtë Shqipërisë”, - tha Ndoka. Demokristiani Ndoka kërkon të shkohet më tej në reagimin opozitar kur e quan të pamundur pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme lokale, pa u hapur kutitë. “Pa një transparencë të zgjedhjeve që lamë pas është mjaft e vështirë, është e pamundur, aq më tepër në një qeverisje të tillë që të prodhosh aventura të reja”, - tha Ndoka.
Harxhi kërkon në Marok njohjen e pavarësisë së Kosovës
Zëvendësministrja Edith Harxhi ka kërkuar nga pala marokene njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, Harxhi nënvizoi se procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës është shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin e më gjerë.
Shqipëria dhe Maroku do të intensifikojnë bashkëpunimin për nismat rajonale dhe ndërkombëtare. Një qëndrimin i përbashkët i dy vendeve është bërë i ditur gjatë takimit të zëvendësministres së Jashtme Edith Harxhi me sekretaren e Shtetit në Ministrinë Jashtme të Mbretërisë së Marokut, Latifa Akharbach. “Të dyja palët theksuan nevojën e zhvillimit të konsultimeve për çështjet dypalëshe dhe shumëpalëshe, si dhe të forcimit të bashkëpunimit në kuadër të nismave rajonale dhe ndërkombëtare”, - thekson njoftimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme në lidhje me takimin.
21 Prill 2010