E Diel, 1 Nëntor 2026

Amortizimi i rrjetit, ndotet uji i pijshëm në Berat

21/04/2010 DSHP lajmëron banorët: Mos e përdorni për të pirë apo gatuar, analizat mjaft shqetësuese

BERAT- Reshjet e shiut të rëna gjatë ditëve të fundit kanë rikthyer problemin e ndotjes së ujit të pijshëm. Mëngjesin e djeshëm qytetarët e Beratit kanë parë se uji i pijshëm që ka ardhur në çezmat e tyre ka qenë tepër i ndotur dhe si rezultat i papërdorshëm për t’u konsumuar. Qytetarët kanë nisur sërish të ankohen se cilësia e ujit të pijshëm lë shumë për të dëshiruar. Uji ka ardhur me ngjyrë dhe ndotje fizike në të gjitha lagjet e qytetit.

Ndotja

Ndotjen e ujit të pijshëm e kanë konstatuar dje dhe specialistët pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në këtë qytet. Burime pranë kësaj drejtorie bënë me dije se nga analizat që i janë bërë kampioneve të ujit në të gjitha lagjet e qytetit ka rezultuar se uji ka qenë i ndotur me ndotje fizike. Menjëherë sapo është konstatuar ndotja e ujit të pijshëm qytetarët janë njoftuar nëpërmjet medias lokale që të mos konsumojnë ujin e pijshëm për pirje dhe për gatim deri në një urdhër të dytë. Masa janë marrë dhe nga Drejtoria e Ujësjellësit në këtë qytet për klorifikimin e ujit në depot e ujit të pijshëm, por sërish uji vazhdon të jetë i ndotur. Qytetarët nga ana e tyre kanë nisur të shprehin shqetësimin e tyre për ndotjen duke u ankuar se e kanë të pamundur të përballojnë konsumimin e ujit të ambalazhuar. Ndërkohë që në lidhje me ndotjen e ujit të pijshëm drejtori i Ujësjellësit, Fatmir Shehu, shprehet se ky problem është i njohur dhe vjen si pasojë e rrjetit krejt të amortizuar. Në të gjithë shtrirjen e tij nga vend burimi i Bogovës deri në qytetin e Beratit sipas Shehut rrjeti është shumë i amortizuar. Kjo drejtori së bashku me pushtetin vendor prej vitesh kanë nisur bashkëpunimin me Bankën Gjermane KFV për thithjen e investimeve për rikonstruksionin e këtij rrjeti, por ende procedura ka ngelur në fazën e përzgjedhjes së firmës sipërmarrëse që do të kryejë punimet. Por, drejtori Shehu deklaron se në muajin qershor kjo procedurë do të përfundojë dhe me investimin prej 3.5 milionë eurosh do të nis puna për rikonstruksionin e këtij rrjeti. Por, amortizimi i rrjetit nuk është i vetmi shkak për ndotjen e ujit të pijshëm në këtë qytet. Shfrytëzimi pa kriter i pllakave të gurit, në basenin e Malit Tomor, sipas drejtorit Shehu është një tjetër arsye e ndotjes së ujit të pijshëm. Prej vitesh në këtë basen punohet për nxjerrjen e gurit dekorativ dhe nuk zbatohen rregullat teknike, çka shkakton turbullirë në vend burimin e Bogovës dhe ndotje të ujit të pijshëm. Shehu deklaron se ky problem duhet të zgjidhet ligjërisht, pasi firmat që punojnë në nxjerrjen e gurit dhe nuk zbatojnë kushtet teknike duhet të mbajnë përgjegjësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›