Kuçovë, vetëvritet ushtari në repartin e aerodromit
KUÇOVE/ DILAVER XHELILI
Vetëvritet ushtari i repartit të ruajtjes së aerodromit në Kuçovë. Klodian Armaçi, 23 vjeç, banor i këtij qyteti i dha fund jetës pas një depresioni të rëndë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se i riu ishte divorcuar rreth katër muaj më parë. Që prej asaj periudhe, ai kishte shfaqur probleme të dukshme depresive, çka dyshohet se shkaktoi edhe vendimin fatal për t’u vetëvrarë me armën e shërbimit. Ngjarja ndodhi pas mesnatës së të dielës, kur ora kishte shënuar rreth 01:00. Burime të policisë bënë të ditur se 23-vjeçari shërbente në repartin ushtarak me nr. 3362. Natën e ngjarjes ai kishte pasur radhën e shërbimit. Në orën 24:00, Armaçi është paraqitur për të marrë shërbimin. Një orë më pas, oficerët dhe ushtarët e repartit kanë dëgjuar një të shtënë. Ata nxituan të konstatonin mbi atë që kishte ndodhur dhe gjetën trupin e shokut të tyre të mbuluar me gjak. Viktima, i cili ende ishte në jetë, u transportua menjëherë në spitalin e Beratit. Por me gjithë ndërhyrjen e shpejtë, nuk mundi t’i mbijetojë plagës. Sipas bluzave të bardha, 23-vjeçari ishte vetëvrarë me një plumb automatiku në kraharor, i cili i kishte prekur dhe zemrën. Një grup hetimi është duke punuar për këtë ngjarje që tronditi ushtarët e tjerë të repartit. Këta të fundit janë shprehur në polici se djali nga Kuçova prej disa kohësh rrinte i veçuar. Ata kishin konstatuar se ai ndodhej në një gjendje depresive, por se nuk e kishin menduar se situata ishte kaq e rëndë sa ai të ndërmerrte një veprim kaq fatal për veten e tij. Sipas policisë, dyshohet se i riu, banues në lagjen “11 Shkurti” vuante nga depresioni për shkak të divorcit. Kjo është pista në të cilën është duke punuar grupi i hetimit. Por burimet nuk përjashtojnë edhe pista të tjera të hetimit për ngjarjen e rëndë. Trupi i 23-vjeçarit u mor dje nga familja e tij. Mësohet se viktima kishte prindërit, dy motra dhe një vëlla.