Banorët e pallatit të shembur: Na sollën ushqime të skaduara
BULQIZË – Ushqime të skaduara për 56 banorët e strehuar në xhaminë e qytetit të Bulqizës. Pas braktisjes së pallatit në shembje ata thonë se janë përpjekur të zbatojnë rregullat e kultit fetar, por ankohen se kanë mungesa të theksuara në ushqime. Ditë më parë nga Emergjencat Civile Tiranë kanë mbërritur disa ushqime, vaj, sheqer, bizele dhe batanije. Mirëpo familjarët thonë se ato jo vetëm nuk janë të mjaftueshme, por ka dhe mallra ta skaduar që u janë dërguar atyre. Megjithëse i friken pasojave pas këtij fakti ata tregojnë konservat me bizele, mbi të cilat shkruhet afati i skadencës: 31 dhjetor 2008. “Ne nuk kemi ngrënë dhe as nuk i hamë bizelet. Mirëpo edhe sikur të donim t’i hanim ato kemi lexuar në etiketa se janë të skaduara”, thanë banorët e strehuar në xhami. Ata ankohen se ushqimet e dërguara nuk janë aspak të mjaftueshme. Disa gatuajnë vetë në dhomat 4 x 4, ndërkohë të tjerë gjejnë para borxh për të blerë bukë. “Deri tani, - tha një grua rreth të 70-ve - na kanë ndihmuar njerëzit tanë me lekë, ushqime e veshje. Mirëpo ata nuk kanë mundësi të na ndihmojnë vazhdimisht. E kanë të pamundur”. Një problem tjetër është ai se mjediset ku flenë, gatuajnë, rrinë dhe ushqehen janë mjaft të vogla. Disa nga familjet kanë më shumë se 6 veta dhe dhomat janë të vogla. Ndërkohë familjarët janë detyruar të largojnë krevatet portativë dhe të shtrihen mbi dysheme. Disa hedhin mbi çimento dyshekë, ndërkohë të tjerë në mungesë të tyre batanije. Më e rëndë situata paraqitet për fëmijët e vegjël, të cilët po rriten mes problemesh të shumta. Xhamia e qytetit ka pranuar që këta banorë të qëndrojnë këtu një muaj. Ditë më parë u tha se kompleksi i minatorëve do të rikonstruktohet për apartamente, por tani për këtë nuk flitet. Burime jo zyrtare thonë se ende nuk është çelë fondi i bërë publik nga autoritetet vendore, ndërkohë që investimi nuk mund të kryhet në kohë rekord. Pra, do të duhet kohë që 15 familjet e pastreha të stabilizohen në lagjen tjetër të Bulqizës, në apartamente më të përshtatshme se ato ku jetonin deri në mesin e këtij muaji. Deri sa shteti të mundësojë lëvizjen e tyre nga xhamia, banorët kërkojnë ndihma ushqimore dhe rroba për fjetje. h.p