Vendimi i Financave, lojrat e fatit 15 metra larg shkollave
Fabiola Çela
Nuk do të ketë më lojëra fati afër shkollave. Madje qeveria ka përcaktuar edhe distancat që duhet të ekzistojnë mes godinës ku ndodhen lojërat e fatit dhe shkollave. Sipas udhëzimit më të ri të Ministrisë së Financave, lojërat e fatit duhet të jenë 40 metra larg shkollave apo institucioneve të tjera si fetare apo atyre shëndetësore.
Udhëzimi
“Lojërat e fatit duhet të jenë jo më afër se 40 metra nga godinat e institucioneve arsimore shëndetësore ose fetare apo hyrja për në këto institucione, me kusht që këto institucione të jenë përballë mjediseve ky zhvillohen lojëra fati dhe të ekspozuara. Lojërat e fatit duhet të jenë jo më pak se 15 metra nga hyrja për në institucionet arsimore, shëndetësore ose fetare në rastet kur reklama apo hyrja për në mjediset ku luhen lojëra fati ndodhet në të njëjtën rrugë që të çon në hyrjen e institucioneve arsimore, shëndetësore e fetare”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Financave. Përveç distancave që duhet të ketë mes lojërave të fatit dhe këtyre institucioneve, qeveria ka vendosur që të mos lejojë hapjen e tyre në rast se ato ndodhen në një rrugë të vetme. “Nuk mund të jenë në të njëjtën rrugë që të çon në institucione arsimore, shëndetësore apo fetare në rast se rruga që të çon në këto institucione është e vetme”, thuhet në udhëzim. Përveç kësaj, drejtuesit e lojërave të fatit duhet të vendosin një tabelë në hyrje, ku paralajmërojnë lojtarët për të papriturat që ata mund të kenë gjatë lojës. “Në mjedisin ku luhen lojërat e fatit duhet të ekspozohet gjithmonë një tabelë e dukshme për lojtarët me këtë përmbajtje: Marrja pjesë në lojërat e fatit mund të ndikojë negativisht në gjendjen ekonomike të lojtarit”, thuhet në udhëzimin e financave.
Aksioni
Pak ditë më parë, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit nisi një aksion për konfiskimin e mjeteve elektronike të përdorura për aktivitet të paligjshëm nga subjektet. Drejtori i Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Shkëlqim Hoxha, ka thënë se po veprohet me tolerancë zero ndaj kujtdo personi apo subjekti që nuk paguan taksat dhe vepron në kundërshtim me ligjin. Përpara nisjes së operacionit të konfiskimit dhe bllokimit, në një hark kohor prej 7 muajsh, njësia kishte evidentuar subjektet që ushtrojnë veprimtari të paligjshme, në mënyrë që operacioni të jetë i shpejtë dhe rezultativ. Sipas Hoxhës, ndërhyrja e njësisë së drejtuar prej tij do të shtrihet së shpejti në të gjithë vendin. Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin ekzistojnë rreth 1500 adresa, në të cilat zhvillohet aktivitet lojëra fati. Në rreth 400 prej tyre ushtrohet aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit.
Institucionet
40 metra larg duhet të jenë lojërat e fatit nga godinat arsimore, shëndetësore ose fetare në rastin kur hyrja për tek lojërat e fatit është ballë për ballë me këto institucione
15 metra larg duhet të jenë lojërat e fatit në rastin kur hyrja për në mjediset ku luhen lojëra fati ndodhet në të njëjtën rrugë që të çon në këto institucione
Nuk lejohet hapja e lojërave të fatit kur ka vetëm një rrugë mes tyre dhe institucioneve