E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigranti nxirret i vdekur nga galeria

 

Nga Bulqiza, HASAN PASHA

Pamje rrëqethëse dje paradite në hyrje të galerisë 16, pjesë e koncesionit ACR, kur pas kërkimeve në tunel doli trupi i pajetë i Arjan Duvës. Shpresat ishin humbur që prej orëve të natës të së dielës për 38-vjeçarin që kërkonte krom të kishte shenja jete. Dhjetëra minatorë dhe të afërm të Arjan Duvës kishin qëndruar gjatë gjithë natës pranë galerisë që i mori jetën 38-vjeçarit. Në sytë e të afërmve kishte lot për njeriun e tyre që u shua nëntokë, afro 200 metra thellësi. Kërkimet për gjetjen e Duvës kanë zgjatur nga ora 18:00 e së dielës e deri në të gdhirë të ditës së djeshme. Përveç specialistëve të sigurimit teknik të minierës kryesore të Bulqizës, kishin ardhur dhe specialistë të avari-shpëtimit nga Tirana. Nga gryka e vogël e galerisë së bllokuar disa muaj më parë hynin e dilnin specialistë të zotë, komunikonin me drejtuesit e avari-shpëtimit, drejtuesit e minierës koncesionare dhe të afërmit e Duvës. Pak orë pa gdhirë dita e djeshme, specialistët e nëntokës kanë lokalizuar vendin se ku ndodhej trupi i viktimës. Për shkak të materialit të madh që kishte bllokuar rrugën për të arritur në vendin e ngjarjes, është dashur realizimi i disa shpërthimeve me eksploziv. Specialistë të minierës pohuan për gazetën “Panorama” se është kërkuar leje tek të afërmit e Duvës për të realizuar këto shpërthime, për të mundësuar nxjerrjen e trupit të pajetë të tij nga thellësia e galerisë së abandonuar. Familjarët janë bindur se pas shumë orësh nën gurë njeriu i tyre kishte ndërruar jetë dhe se nuk kishte asnjë shpresë për shpëtim. Në këtë mënyrë kanë rënë dakord që të lirohej tuneli dhe të shkohej në vendin ku Arjan Duva kishte mbetur i mbuluar nga masivi i inerteve. Forca të shumta kanë punuar për orë të tëra për të mundësuar nxjerrjen e kufomës nga nëntoka. Rreth orës 10:00 specialistët që vazhdonin kërkimet dolën nga galeria dhe thanë se trupi ishte gjetur dhe po nxirrej jashtë nga minatorë e të afërm të viktimës. Momentet më dramatike ishin ato kur trupi i pajetë i Duvës, mbështjellë me batanije e rroba të ndryshme doli me një barelë të spitalit të Bulqizës nga një vrimë e hapur në hyrje të galerisë. Dhjetëra minatorët e të afërm mbanin në krah kufomën, e cila ngarkuar mbi një mjet është dërguar në morgun e qytetit, ku është kryer dhe ekspertiza nga specialistët e policisë.
Nga familjarë të 38-vjeçarit mësohet se Duva ishte i divorcuar. Ai ishte kthyer nga emigracioni në Greqi në fund të këtij viti dhe pritej që të nisej sërish në shtetin fqinj. Prej disa ditësh, bashkë me shokun e tij që arriti të shpëtonte, Astrit Kuka, ai kishte mundur të hapte një gropë në minierën e bllokuar prej kohësh për shkak të rrezikut që mbartte. Prej andej të dy depërtuan në thellësi të galerisë, ku tronditjet e para me mjetet e punës provokuan rrëzimin e çatisë e më pas të masivit të inerteve. Kuka mundi të shpëtonte gjallë me vetëm disa plagë në trup. Pritet që ai të japë dëshminë për grupin hetimor, mbi iniciativën për të gërmuar krom në një zonë të rrezikshme dhe momentet e fundit të aksidentit tragjik.

Bulqizë, akuza pas tragjedisë në minierë
Menjëherë pas ngjarjes së parë tragjike për këtë vit në minierat e Bulqizës ka pasur reagime e akuza të shumta. Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi është shprehur se ngjarja është rrjedhojë e korrupsionit që “lulëzon” në rrethin e Bulqizës, për shkak të konkurrencës për zona influence në miniera dhe stoqet e kromit. Ndërkohë kryetari i bashkisë Bulqizë, Roland Keta, tha se prej kohësh kishte kërkuar bllokimin e sektorëve minerarë të rrezikshëm. “Policia kishte për detyrë të mos lejonte askënd të futej në galeri. Unë i kërkoj policisë rajonale dhe prokurorisë të zbardhë ngjarjen, e cila nuk duhet të ndodhte”, tha Keta. Ekspertë të avari-shpëtimit nuk kanë komentuar gjatë ngjarjen e rëndë, por saktësuan se miniera ishte e bllokuar dhe se policia duhet të merrte masa për moslejimin e njerëzve të hynin brenda. Një problem më vete, i cili nuk është sqaruar ende, është se për llogari të kujt punonte Duva, pasi ai nuk kishte qenë minator, por një emigrant i kthyer nga Greqia në prag të vitit të ri. Duva vite më parë punonte si pompist në minierën e kromit, por kurrë nuk kishte punuar si minator nëntokë. Prokuroria dhe policia e Dibrës kanë ngritur një grup hetimor që po merret me zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë deri më tani nuk është ndëshkuar askush për viktimat e shumta në minierat dhe stoqet e Bulqizës, dhe pse numri i tyre është i lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›