Ulet me 5 për qind taksa për pension
Duke filluar nga data 1 maj 2009, masa e kontributit të sigurimit shoqëror do të ulet me 5%, duke kaluar nga 29.5 në 24.5 për qind. Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka miratuar dhe draftin e qeverisë për uljen e normës së sigurimeve shoqërore me 5 për qind për punëdhënësin. Në fakt një ulje e tillë ishte parashikuar që të ndërmerrej që nga 1 janari i këtij viti, por Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandoi qeverisë që një ulje e tillë të niste nga 1 maji. Me uljen e kësaj takse qeveria synon të ulë nivelin e punësimit në të zezë të punonjësve dhe të nxisë punëdhënësit që të rrisin numrin e punonjësve të deklaruar pranë sigurimeve shoqërore. “Me këtë heqim nga arka e shtetit dhe i japim biznesit 50 milionë dollarë”, u shpreh dje në Komisionin e Ekonomisë zëvendësministri i Financave, Florjon Mima. Por opozita, edhe pse mbështeti parimisht uljen e kësaj takse, ajo u shpreh dyshuese se qeveria mund ta shoqërojë atë me disa masa të tjera, që sjellin efekte të kundërta. Por sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, reduktimi i normës së kontributeve do të ketë një efekt ekonomik të dyanshëm. Nga vlerësimet e Ministrisë së Financave vlerësohet se ulja e kontributeve me 5% do të ketë një efekt negativ në të ardhurat e buxhetit të vitit 2009 me rreth 4 miliardë lekë në skemën e sigurimeve shoqërore. Por ky efekt negativ do të kompensohet përmes rritjes së interesit të të punësuarve dhe të punëdhënësve për t’u përfshirë më gjerë në skemën e sigurimeve shoqërore. Po dje Komisioni i Ekonomisë miratoi draftin e qeverisë për akcizën e naftës, duke e ngrirë atë në nivelin 37 lekë për litër, pavarësisht çmimit në bursë.
Pas zgjedhjeve nis reforma në pensione
Edhe pse qeveria ka vendosur që të ulë më pesë për qind taksën e sigurimeve shoqërore për punëdhënësit, Shqipëria mbetet vendi me kontributet më të larta për pensionet. Kjo ndodh në një kohë kur masa e përfitimit është ndër më të ulëtat. Lidhur me këtë problem qeveria thotë se ulja e kësaj takse është hapi i parë për të zgjidhur këtë problem. Zëvendësministri i Financave, Florjon Mima u shpreh se, “ky hap përkon me një reformë të madhe që po diskutohet në zyrat e qeverisë, për reformimin e gjithë sistemit. Kjo hap dritën jeshile për futjen e kolonës së dytë”, u shpreh Mima. Por një reformë e tillë është parashikuar që të ndërmerret pas zgjedhjeve të këtij viti. Aktualisht sistemi i sigurimeve shoqërore ofron mbrojtje për të gjithë personat ekonomikisht aktivë, në rast të pakësimit të të ardhurave për shkak të sëmundjes, barrëlindjes, për moshë madhore, për shkak të invaliditetit apo në rast vdekje për shkak të aksidenteve në punë dhe për papunësinë.