E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare dhe Nano leksione shqiptare në Itali

 

“Torino Spiritualita. Pyetje Zotit, pyetje njerëzve”, festivali i përvitshëm që organizohet në Itali, ka mbledhur këto ditë artistë nga vende të ndryshme, mes tyre dhe shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare dhe analistin Mustafa Nano. I ideuar si një promovim i dialogut ndërfetar e ndërkulturor, si refleksion mbi tematikat që përfshijnë dimensionin etik dhe shpirtëror të qenies njerëzore, në këtë edicion të festivalit është diskutuar rreth temave të ndryshme. “Përgjegjësia e së drejtës dhe e drejta ndaj përgjegjësisë”, është tema mbi të cilën ka diskutuar shkrimtari i njohur shqiptar Kadare, ku në websitin e këtij eventi shkruhet se asnjë shkrimtar nuk ka ditur më mirë se ai të përfaqësojë historinë dhe bukurinë legjendare, trishtimin dhe forcën e jashtëzakonshme të vendit të tij. Ndërkohë analisti Nano ka referuar me temën “T’ia nisësh nga e para: Një perspektivë sociale dhe politike”. Nano ka marrë shkas nga Shqipëria historike dhe sociale, duke e drejtuar publikun drejt një reflektimi, që sipas tij është dhe një nga veprimet kyç të shpresës. Por, në katër ditët e këtij festivali që ka nisur nga data 24 deri dje, ka qenë një nga temat kryesore, mbi të cilën është diskutuar gjatë. Edicioni i sivjetshëm është ndarë në tre sesione “Shpresat e Italisë”, “Shpresat e botës” dhe “Shpresat individuale” ku dy shqiptarët, Kadare dhe Nano kanë diskutuar  mbi shpresat e tyre. Gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar mbi 70 takime, nga rreth 100 të ftuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›