E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti: Qeveria Gruevski ka dështuar me shqiptarët

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka zbuluar parimet e fushatës së tij elektorale dhe është shprehur se atentati kundër tij është bërë nga njerëz, të cilët pengohen nga aktiviteti i BDI, duke ngritur gishtin nga strukturat paralele të ministrisë, ende të pakontrolluara nga shteti maqedonas. 

LUTFI DERVISHI

Në një intervistë dhënë emisionit “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, ai u shpreh si më poshtë. 
Çfarë informacionesh keni për atentatin kundër jush?
Qëllimi kryesor është të zbardhet motivi i vërtetë se çka i shtyu ata njerëz që të sulmojnë udhëheqjen e BDI-së. Ato ditë unë kam qenë në aktivitete të përditshme bashkë me nënkryetarin e partisë, shefin e kabinetit, kryetarin e komunës së Bogovinës, sepse në atë zonë ishte dhe ky fshat, i takonte kësaj komune dhe ndërkohë është sulmuar eskorta, por megjithatë arritëm që në sajë të gjakftohtësisë ta menaxhojmë situatën. Për fat të keq pati një plagosje, kalimtari i rastit që ka qenë afër makinave, por është jashtë rrezikut për jetën. Të gjitha të dhënat i kemi deponuar në institucionet përkatëse dhe tani presim që të veprojnë institucionet.
Nga informacionet që keni, ku e drejtoni gishtin e akuzës?
Tani sipas të gjitha të dhënave janë njerëz, për fat të keq të afërt të Partisë Demokratike Shqiptare, parti në pushtet. Por do të shohim edhe nga hetimet e mëtejme se si do të përfundojë dhe çka do të rezultojë nga ato hetime.
Pse ndodhi kjo?
Tani për motivet duhet të pyeten ata të cilët e kanë organizuar, sepse unë nuk mund të bëj ndonjë vlerësim, por sigurisht që ndokënd edhe e pengon aktiviteti i BDI-së, edhe angazhimi im personal.
Zoti Ahmeti, çfarë angazhimi merrni ju për ta tejkaluar këtë situatë të rëndë për shqiptarët në Maqedoni?
U kam bërë thirrje shqiptarëve për gjakftohtësi. Të gjithë duhet të angazhohen të japin të dhëna edhe për njerëz brenda sistemit, si në polici, si në organet shtetërore, të cilat organizohen me krimin. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ushtron kontroll të plotë mbi institucionin e vet. Ka struktura paralele brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme të pajisura me simbole të falsifikuara, por që bëjnë goxha aktivitete kriminale në terren.
A ka ndonjë gjë të mirë që ka realizuar, sipas jush, qeveria Gruevski?
Sa u takon shqiptarëve, për 18 muaj asgjë të mirë nuk ka realizuar qeveria e Nikolla Gruevskit. Përkundrazi, mund të numëroj gjëra vërtet mjaft të këqija që kanë ndodhur për këto 18 muaj kundër shqiptarëve. 
Cilat do të ishin 3 premtimet ndaj elektoratit shqiptar në Maqedoni?
Çështja e parë që duhet të përmbyllet është ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel shtetëror, në nivel zyrtar. Zgjidhja e statusit legal të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ligji për përdorimin e simboleve kombëtare, ligji për policinë si dhe vazhdimi i procesit për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve. Do të thotë se këto janë 5 temat në të cilat ne do të angazhohemi.
Besoni që ratifikimi i heqjes së vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do të jetë prioritet i parlamentit të ri?
Po, unë kam biseduar edhe me parti politike maqedonase, që njëra nga prioritetet e parlamentit të ardhshëm do të jetë edhe ratifikimi i marrëveshjes për heqjen e vizave me Shqipërinë. Ajo ishte një ngjarje që s’duhej të ndodhte mes dy vendeve tona.
Do të jetë në axhendën e parlamentit njohja e Kosovës?
Sigurisht edhe kjo është çështje mjaft e rëndësishme që duhet të përshpejtohet. Ne kemi bërë një kërkesë që në momentin kur është shpallur Pavarësia e Kosovës. Politika e vendit nuk ka respektuar së paku deklaratat parimore që ka dhënë dhe vonesa e mosnjohjes së shtetit të Kosovës sigurisht që nuk është mirë për Maqedoninë.
Si janë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin e Kosovës?
Marrëdhëniet kanë qenë dhe janë të mira, si shokë që kemi qenë. Unë më shumë se gjysmën e parlamentit të Kosovës i kam pasur shokë, që kemi bashkëvepruar bashkë. Me zotin Ramush Haradinaj gjithashtu shumë të mira, edhe pse ka përpjekje që të keqpërdoret figura e zotit Haradinaj, bile hiç më shumë se në një debat analistësh, unë dëgjoj se gjoja zoti Ramush Haradinaj mbështet Menduh Thaçin, zoti Hashim Thaçi mbështet Ali Ahmetin. Këto janë gjëra fare të pavërteta.
Po me zotin Xhaferri, në vitin 2001 patët një takim në Tiranë?
Është e vërtetë që kam pasur gjatë periudhës së luftës një takim me ndërmjetësim të zotit Meta. Nuk ka qenë pa rezultate ai takim. Unë do ta quaj me sukses një situatë të tillë. Aktualisht nuk kam kontakte, nuk e di a ndodhet në Maqedoni, por kam një kohë të gjatë që nuk e kam takuar, por i uroj shëndet dhe jetë të gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›