E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalimi i Bushit në Izrael fyen Obamën

Presidenti amerikan Xhorxh Bush, ka provokuar zemërimin e kundërshtarëve demokratë me një fjalim në Izrael, ku krahasoi bisedimet me ekstremistët dhe radikalët me paqen e bërë me nazistët para Luftës së Dytë Botërore. 

Komentet e tij janë interpretuar si një sulm ndaj kandidatit që kryeson garën e demokratëve për presidencën amerikane, Barack Obama. Ai reagoi se nëse bëhet president, do të bisedojë me armiqtë e Amerikës si Irani dhe Siria. Në fjalimin e tij në parlamentin izraelit, Knesset, presidenti Bush tha se negociatat me terroristët dhe radikalët ishin iluzion i marrë. Ai bëri krahasimin me ata që u përpoqën të paqëtonin Hitlerin para Luftës së Dytë Botërore. Demokratët e cilësuan këtë si një përpjekje të qëllimshme për të goditur kandidatin Barack Obama. BBC shkruan se duke iu përgjigjur fjalimit të presidentit, senatori Obama tha se ky ishte një sulm fals që praktikonte politikën e frikës. Ai tha se kurrë nuk kishte qenë avokat i një politike për angazhim me terroristët. Rivalja e zotit Obama, senatorja Hilary Clinton, tha se komentet e zotit Bush ishin fyese. Ndërsa kandidati i republikanëve John McCain, tha se zoti Barack Obama kishte treguar naivitet kur pati sugjeruar se do të bisedonte me Iranin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›