E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e dëshmitarit, skandal me gjurmët

Vdekja e dëshmitarit të “mafies së tokave” në Kashar, ka vënë para një sfide të vërtetë policinë, Prokurorinë dhe Mjekësinë Ligjore shqiptare. 

Trazhgim Sokolaj

Edhe pse kanë kaluar tri ditë nga zhvarrosja e trupit të Gani Kamberit, banorit 50-vjeçar nga Kashari, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka dështuar të përcaktojë shkencërisht nëse ngjarja ka qenë vrasje apo vetëvrasje. Zhvarrosja e Gani Kamberit është bërë tri ditë më parë me urdhër të Prokurorisë, pas dëshmive të familjarëve të viktimës që këmbëngulën se 50-vjeçarin e kishin vrarë. Në shërbim të kësaj piste, shkuan edhe verifikimet sipas të cilave plumbi kishte hyrë në pjesën e pasme të kokës së viktimës dhe ky, ishte një rast i dyshimtë për t’u konsideruar vetëvrasje. Morgu i Tiranës pati premtuar se ditën e djeshme do të arrinte një përfundim, e ndoshta do t’i jepte fund misterit të krijuar. Por verifikimet 3-ditorë të kufomës së Gani Kamberit, duket se kanë dështuar. Mjekësia Ligjore ka lajmëruar dje policinë dhe Prokurorinë, se raporti i riekspertimit mund të jetë gati ditën e hënë pasi kërkohen verifikime dhe ekzaminime shtesë. Gjatë këtij komunikimi me hetuesit, mjekët ligjorë nuk u kanë thënë atyre asgjë të re duke u mjaftuar me frazat “mënyra e hyrjes së plumbit dhe pozicioni ku është gjetur viktima, janë një rast i panjohur nga literatura shkencore për vetëvrasjet”. Prokuroria që në nëntor 2007 i ka kërkuar policisë ripyetjen e 26 dëshmitarëve të ngjarjes.
Skandali me gjurmët
Prokuroria e Tiranës konfirmoi dje se policia ka kryer një numër të konsiderueshëm veprimesh hetimore për zbardhjen e rrethanave në të cilat vdiq Gani Kamberi. Megjithatë hetuesit e policisë duket se kanë harruar të kryenin një veprim që tani edhe vetë ata, e konsiderojnë aq të rëndësishëm saqë mund të zgjidhte misterin e krijuar. Sipas burimeve të konfirmuara, Gani Kamberit nuk i janë marrë gjurmët e gishtave pasi ai u gjet i vdekur. “Nëse gjurmët e gishtave të viktimës do ishin marrë nga policia, Prokuroria do ta kishte të lehtë të verifikonte nëse shenjat e tij ndodhen në armën e krimit për të arritur në përfundimin se viktima qëlloi veten apo e kanë qëlluar me armë”, thanë burimet e hetimit, duke pohuar se fiksimi i gjurmëve të gishtave të viktimave në krime të ndryshme është një veprim i parashikuar nga ligji. Sipas hetuesve, mungesa e gjurmëve të viktimës, e ka bërë gati të pamundur saktësimin përfundimtar të asaj që ka ndodhur me Gani Kamberin. Ai kishte denoncuar e akuzuar krerët e komunës së Kasharit dhe njerëzit pranë tyre, për vjedhjen me anë të falsifikimit të tokave të banorëve të zonës. Krerët e komunës u arrestuan pak kohë pas vdekjes së Gani Kamberit me akuzat që kanë shitur tek persona të tretë, përmes mashtrimeve e falsifikimeve mbi 18 hektarë toka të banorëve të Kasharit.

Policia: I vetëvrari qëlloi dy herë me armë

TIRANE - Efektivë të policisë së kryeqytetit që kanë marrë pjesë në hetimin paraprak dhe në këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku u gjet i vdekur Gani Kamberi, pohojnë se atë ditë janë dëgjuar dy të shtëna. Një fakt i tillë sipas tyre, është referuar edhe në procesverbalet hetimore të ngjarjes pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Sipas hetimeve të policisë, arma me të cilën është qëlluar Gani Kamberi i është gjetur viktimës në dorë. Nga dy të shtënat që janë dëgjuar, njëra prej tyre e ka qëlluar viktimën në kokë, ndërsa qitja tjetër me armë nuk dihet në çfarë drejtimi dhe në çfarë rrethanash është qëlluar. Disa fëmijë që janë këmbyer me viktimën pak minuta para ngjarjes u kanë pohuar specialistëve dhe hetuesve të policisë së komisariatit nr.2, se viktima Gani Kamberi kishte qëlluar një herë në ajër para se të vriste veten. Nga e shtëna e armës fëmijët janë trembur dhe janë larguar nga vendi ku më pas u gjet kufoma. Sapo fëmijët janë larguar, sipas burimeve të policisë që iu referohen deklarimeve të fëmijëve, është dëgjuar edhe e shtëna e dytë. Nga autopsia toksikologjike që i është kryer viktimës pas ngjarjes, burime të Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë sqaruar se, Gani Kamberit i janë gjetur sasi të konsiderueshme alkooli në gjak. Gjithsesi sipas tyre, përqendrimi i alkoolit nuk ishte në masë aq e madhe sa të mendohet se Gani Kamberi ka qenë në gjendje të dehur apo i papërgjegjshëm për veprimet që ka kryer. Ndërkaq hetuesit pohojnë se ata kanë mbërritur në vendin e ngjarjes pas njoftimit që kishin marrë nga banorë të zonës nëpërmjet sallës operative. Banorë të zonës kanë telefonuar aty dhe kanë lajmëruar për faktin se Gani Kamberi ndodhej i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij. Burime të policisë së kryeqytetit thonë se, në komisariatin nr.2, në atë kohë janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm dëshmitarësh që kishin marrë vesh për ngjarjen apo që ishin gjetur nga policia pranë vendit të krimit. Mes këtyre dëshmitarëve kanë qenë edhe fëmijët, me të cilët është këmbyer në rrugë Gani Kamberi përpara se të gjendej i vdekur. Pikërisht ky moment mbetet ende për t’u zbardhur nga hetuesit e policisë për ngjarjen e ndodhur, më 14 tetor 2008. Fëmijët thonë se, viktima ka qëlluar një herë në ajër dhe ata janë trembur dhe janë larguar. Por sipas hetuesve, fëmijët shprehen se, nuk e kanë parë viktimën kur ka qëlluar veten, duke shkaktuar edhe dyshimet më të mëdha nëse ngjarja ka qenë vrasje apo vetëvrasje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›