E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti, merren në pyetje truprojat e Kryeministrit

Policia e Tiranës po heton
incidentin e shefit të qarkullimit
rrugor në Tiranë,
Krenar Ahmeti, me eskortën e Kryeministrit
Sali Berisha. Mësohet
se krerët e policisë së kryeqytetit
kanë marrë në pyetje punonjësit
e gardës që shoqëronin ditën e
shtunë Kryeministrin e vendit.
Krahas tyre, në pyetje është marrë
edhe Krenar Ahmeti. Të dhënat
do të ballafaqohen dhe nëse
përmbajnë elementë të veprës
penale, atëherë policia do të referojë
në prokurori materialet e
dosjes. Paraprakisht, burime nga
policia thanë për gazetën se dy
janë "akuzat" që mund të ngrihen
ndaj Ahmetit: Shkelje e qarkullimit
rrugor dhe largim nga vendi
i ngjarjes. Sipas dëshmisë së gardistëve
që shoqëronin Berishën,
Ahmeti u ka prerë rrugën dhe
është përplasur me një automjet
të eskortës. Më pas, sikur të mos
kishte ndodhur gjë, është larguar
duke "injoruar" oficerët e gardës.
Ngjarja është raportuar nga të
pranishmit te titullarët e tyre, të
cilët njoftuan menjëherë zyrtarët
më të lartë të Policisë Shqiptare.
Për 48 orë me radhë është bërë
një hetim i plotë i kësaj ngjarjeje,
ku janë marrë në pyetje gardistët
dhe dëshmitarët okularë. Të
gjithë deklaruan se fajtori është
larguar nga vendi i ngjarjes, madje
kishte shkelur edhe rregullat e
qarkullimit rrugor. Të bindur nga
dëshmitë e gardistëve, zyrtarët e
policisë së Tiranës vendosën që të
pezullojnë Krenar Ahmetin. Gjithsesi,
ky i fundit nuk ka munguar
në festën e djeshme në Drejtorinë
e Policisë së Tiranës. Ditën
e shtunë, me mjetin e punës,
Ahmeti ka përplasur eskortën e
Kryeministrit dhe është larguar
nga vendi i ngjarjes, duke i hequr
vetes të drejtën për të qenë ende
në krye të qarkullimit. Incidenti i
rëndë ka ndodhur në orët e vona
të mbrëmjes, ndërkohë që ka
sjellë diskutimin e dy ditëve me
radhë për të vendosur se çfarë do
të bëhet me të. Por, pavarësisht
meritave të punës së tij, që vetë
drejtuesit e Ministrisë së Brendshme
i kanë vënë në dukje, ky
veprim u është shtuar ankesave
të shumta të qytetarëve për të
dhe ka sjellë pezullimin nga
detyra që mbante. Burimet policore
të Tiranës bënë të ditur se
vendimi është marrë nga drejtori
i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj,
i cili sapo është emëruar në këtë
detyrë. Megjithatë, incidenti i
shënuar është vlerësuar jo vetëm
prej tij, por dhe nga një grup i
Drejtorisë së Përgjithshme të
Policisë së Shtetit, i miratuar
edhe nga ministri i Brendshëm,
Nishani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›