Ahtisari: “BE-ja të mos e njohë Serbinë, pa e njohur Kosovën”
Ish-kryenegociatori për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, i bën thirrje Bashkimit Europian që të mos e pranojë Serbinë, para se ky vend ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ahtisari e paralajmëron Serbinë se nuk guxon ta minojë pavarësinë e Kosovës. “Bashkimi Europian nuk guxon të importojë edhe probleme të tilla ashtu siç ka bërë me rastin e Qipros apo si në rastin e Sllovenisë dhe Kroacisë”,- Ahtisari për gazetën vjeneze “Presse”. Ai ka theksuar se BE-ja duhet të hapë njësoj portat për anëtarësim, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndryshe ky organizëm do të humbë besimin. Ish-presidenti i Finlandës, i cili udhëhoqi negociatat për statusin e Kosovës, shprehet i bindur se Kosova do t’ia dalë në rrugën e saj edhe pa tutorizmin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa ka bërë thirrje për investime në shtetin i ri. Ahtisari sugjeron se para së gjithash duhen krijuar vende punë për të rinjtë, ndryshe ata do të bien viktima në kurthin e kriminalitetit. Puna duhet kryer edhe në reformimin dhe ndërtimin e administratës. Përsa i përket problemit etnik, serbët dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë se nuk do të bëhen kurrë anëtarë të Bashkimit Europian, nëse nuk merren vesh të jetojnë në paqe pranë njëri-tjetrit”,- ka theksuar Ahtisari, në intervistën e botuar për “Presse”.
2 Shtator 2009