E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli i ndez dritën jeshile marrëveshjes EULEX-Serbi



Blerina Olldashi
Komiteti politik dhe i sigurisë i Bashkimit Evropian i ka dhënë mbështetje të plotë punës së EULEX-it në Kosovë, përfshirë këtu edhe marrëveshjen me Beograd. Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, e cila theksoi se në lidhje me këtë çështje do të vazhdojnë konsultimet me të gjitha palët e përfshira në proces. Ambasadorët e Bashkimit Europian mbështetën plotësisht punën e pranisë së BE-së në terren, atë të EULEX-it dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së, përfshirë aranzhimet teknike me Beogradin. “Ambasadorët e Bashkimit Europian mbështetën plotësisht punën e pranisë së BE-së në terren, atë të EULEX-it dhe të Përfaqësuesit Special të BE-së, përfshirë aranzhimet teknike me Beogradin. Ky është një element i rëndësishëm në luftimin e krimit të organizuar dhe do të jetë në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Konsultimet me të gjitha palët relevante në këtë proces do të vazhdojnë”,- u shpreh Limdal. Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kishin paralajmëruar, kohë më parë, nënshkrimin e të ashtuquajturit protokoll operativ me Policinë e EULEX-it. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, kishte thënë se është përgatitur marrëveshja mes Serbisë dhe EULEX-it. Prishtina zyrtare, e cila, edhe atëherë kishte kundërshtuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë, vazhdon të këmbëngulë në qëndrimin e saj. Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, shpjegon: Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është bërë i qartë. Ajo marrëveshje për Kosovën është e papranueshme. Ndërkohë, shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, përmes një deklarate për media në muajin gusht, është shprehur se nuk është e pazakontë për EULEX-in që të nënshkruajë marrëveshje me ministritë përkatëse të rajonit. Marrëveshje të ngjashme të bashkëpunimit, sipas deklaratës, janë nënshkruar nga EULEX-i për shkëmbim të informacionit inteligjent financiar lidhur me shpëlarjen e parave dhe financimin e terrorizmit. Opozita në Kosovë konsideron se marrëveshje të tilla teknike lidhen me planin 6-pikësh të Ban Ki Munit. “Ne e shohim si një kamuflim të EULEX-it, sepse ka të bëjë me protokollin, i cili është paralajmëruar, dhe formulimet politike që mund të bëhen, mund të jenë më të buta, por në esencë nuk dallojnë, sepse raportet teknike që mund të krijohen në mes të EULEX-it dhe Serbisë, dëmtojnë funksionimin e institucioneve të Kosovës”,- shprehet nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi.

2 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›