Ahtisari: “Mosnjohja e Kosovës pengon zgjerimin e BE-së”
BRUKSEL - “Shtetet që kanë pasur konflikte në Ballkan nuk do të mundë të hyjnë në Bashkimin Europian pa i normalizuar marrëdhëniet. Në këtë rast Serbia nuk mund të hyjë në BE para se ta njohë Kosovën si shtet”, - tha ish-ndërmjetësi i bashkësisë ndërkombëtare për statusin, Marti Ahtisari. Ish-presidenti finlandez ka shprehur keqardhjen për ndarjet brenda BE-së lidhur me Kosovën dhe ka shtuar se “vendet që nuk e njohin Kosovën duhet të mbajnë përgjegjësi për pengimin e procesit të zgjerimit”. Ahtisari, në Bruksel ka shtuar se nuk dëshiron që emri i tij të lidhet me ndonjë zgjidhje të statusit të Kosovës, të ndryshme nga ajo që ka propozuar.
Berluskoni: “Nuk kam konflikte me Kishën Katolike”
ROMË - Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, mohoi dje ekzistencën e mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet e tij me Kishën Katolike dhe deklaroi se qëndrimi i tij ndaj ligjit të përgatitur për eutanazinë do të forcojë më tej këto marrëdhënie.
Klerikë të lartë dhe gazeta Avvenire kanë kritikuar liderin konservator për stilin e tij pompoz të jetesës, që është shndërruar në objekt spekulimesh të medias, që kur bashkëshortja e tij kërkoi divorcin në muajin maj, kur Berluskoni ishte filmuar gjatë një feste me rastin e ditëlindjes së një modeleje. Tensionet u ndezën më tej pasi një gazetë, pronë e vëllait të Berluskonit, shkruante se kryeredaktori i gazetës katolike "Avvenire", Dino Boffo, ishte dënuar me gjobë në vitin 2004 për ngacmim të bashkëshortes së të dashurit të tij homoseksual, një artikull që nxiti një zyrtar të lartë të Vatikanit të anulonte një darkë me kryeministrin. Boffo, me mbështetjen e hierarkisë katolike, e hodhi poshtë këtë artikull, por ndërkohë dha dorëheqje nga detyra e kryeredaktorit javën e kaluar. Qeveria ka mohuar ekzistencën e mosmarrëveshjeve me Vatikanin, por një sondazh i publikuar në fundjavë tregonte rënie të mbështetjes për kryeministrin Berluskoni në kryeqendrën katolike. "Kjo është një gënjeshtër, pasi marrëdhëniet e qeverisë dhe të miat personale me ata që drejtojnë Kishën Katolike... kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera", deklaroi Berluskoni në një intervistë në rrjetin e tij mediatik "Mediaset TV".
8 Shtator 2009