Puset, përshkallëzohet protesta
FIER/ MAJLINDA RAMA
"Tërmeti" në zonën e Zharrzës dhe Kuqarit në Patos vijon me protestën e banorëve. Dje ata bllokuan për disa orë aksin nacional Fier-Berat, duke paralajmëruar rrezikun që iu kanoset shtëpive të tyre. Protesta për lëkundjet e tokës në këtë zonë sipas tyre do të vijojë, ndonëse ky problem i ka kaluar organeve kompetente. Por ky fakt nuk i ka bindur ata, duke i detyruar të mos i ndërpresin protestat e nisura që disa ditë më parë. Dy zonat e Zharrëzëz dhe Kuqarit kanë vendosur të protestojnë bashkarisht me të gjitha format e mundshme, derisa t'i japin një zgjidhje kësaj situate. Dëmet në banesat e tyre si pasojë e lëkundjeve të tokës janë të dukshme, por askush nuk ka marrë masa konkrete për të evituar ndonjë tragjedi të mundshme. Siç pohojnë vetë edhe banorët, se: "Nuk na bindin aspak fjalët e thëna nga përfaqësuesit e kompanisë naftënxjerrëse se në këtë zonë ka pasur lëkundje tërmeti. Të gjithë e dimë se dridhjet e tokës vijnë nga veprimtaria e kompanisë së naftës. Ne nuk mjaftohemi me një takim, i cili nuk pati një konkluzion konkret. Kemi nevojë për masa urgjente, jo për fjalë boshe të përfaqësuesve të kompanisë. Do të vazhdojmë të protestojmë, qoftë edhe nëse na duhet të lemë punën me ditë të tëra. Kjo është djersa jonë dhe ne do ta mbrojmë atë". Kështu u shpreh dje Flamur Xhelo, një nga përfaqësuesit e protestuesve. Protestat e banorëve ditën e djeshme kanë qenë më agresive se herët e tjera. Ata bllokuan për orë të tëra qarkullimin në aksin rrugor Fier- Berat. Në lidhje me këto protesta, përfaqësuesit vendorë kanë zgjedhur të heshtin. Asnjë deklaratë zyrtare nga ana e tyre. Prefekti i qarkut Fier Rauf Troka, nuk ka reaguar përballë këtij fakti. Ai nuk i përkrah banorët në këtë protestë dhe në të njëjtën kohë ka qëndruar i heshtur edhe për aktivitetin e firmës naftënxjerrëse, e cila akuzohet nga komuniteti për lëkundjet e tokës. "Nuk flas dot për këtë çështje. Ende nuk di çfarë të them". Vetëm me këto fjalë është shprehur prefekti Troka përballë shqetësimit madhor të komunitetit të zonës së Zharrëzës dhe Kuqarit. Për të normalizuar situatën, dje në vendin ku zhvillohej protesta mbërritën edhe uniformat e policisë, të cilët kërkuan mirëkuptimin e banorëve për hapjen e rrugës dhe pritjen e një përgjigjeje konkrete nga organet kompetente. Ndër-kaq banorët deklaruan se do të vazhdojnë protestat edhe në ditët e ardhshme. Shqetësimi i banorëve të kësaj zone u ngrit pasi gjatë aktivitetit të kompanisë naftënxjerrëse u shkaktuan lëkundje të tokës aq sa të një tërmeti. Për pasojë, mjaft banesa pësuan dëmtime.
Marrëveshja
1-Për 1 muaj do të bllokohet puna në puset, të cilat sipas banorëve kanë pësuar shpërthime, duke sjellë tronditjen e tokës
2- Specialistë nga Instituti i Sizmikës, brenda një jave do të nxjerrin përfundimin mbi shkakun e tronditjes në këto zona
3-Kompania "Bakers" do të dëmshpërblejë banorët për shtëpitë e dëmtuara nga tronditjet e tokës
4- Kompania "Bankers" do të sigurojë çadra për strehimin e banorëve, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan