E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e apartamenteve tronditin Gjirokastrën, shkon 1 mijë euro m/2

 

GJIROKASTER - Çmimet në tregun imobilar në Gjirokastër ditët e fundit kanë njohur një rritje të pazakontë. Rritja e tyre në masën gati 10% justifikohet, sipas ndërtuesve vendas, me zhvlerësimin e lekut dhe tendencën e rënies së tij gjatë muajve në vazhdim. Nëse në muajin qershor blije me monedhën shqiptare një apartament në qytet apo dhe në periferi të tij, sot është e pamundur që të biesh në marrëveshje me ndërtuesit e mëdhenj pa pasur monedhën evropiane. Ky fenomen është bërë më i pranishëm sidomos në muajin gusht. Sipas M.N. ndërtues i vjetër i pallateve të banimit, çmimet për metër katror në Gjirokastër nuk kanë lëvizur gjatë viteve të fundit dhe kjo ka ardhur sipas tij nga etja e madhe e njerëzve për të blerë shtëpi. Klientët më të shumtë janë nga Lazarati dhe pak janë vendas. Ndryshimi mes vendasve dhe të ardhurve nga fshati pranë qytetit, është se ata nuk diskutojnë pazarin e apartamentit por i japin të hollat kesh në dorë, ndërsa kategoria tjetër është më e kursyer dhe e vonshme në shlyerjen e detyrimeve. Sot të blesh një banesë në Gjirokastër është njësoj si të blesh një shtëpi në Sarandë, Tiranë apo gjetkë, në ndonjë zonë të shtrenjtë bregdetare. Çmimet për metër/katror shkojnë nga 400-700 euro dhe kjo në bazë të vendndodhjes së tyre afër qendrës apo dhe larg saj. Çmimi më i lirë i një banesë është konstatuar në lagjen periferike "Zinxhira", ku është blerë nga ndërtuesit për 200 euro metër katrorë. Ndërkaq çmimi për metër katrorë i komplekseve të shitjeve në qytet mund të shkojë deri edhe në 1000 euro metër katror. Gjirokastra numëron sot 34 mijë banorë nga 23 mijë të tillë që kishte në vitin 1989.                                                p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›