Durrës, prishen 120 objekte pa leje
DURRES - Inspektorati ndërtimor i Durrësit ndërmerr një aksion masiv kundër ndërtimeve abuzive. Në shënjestër të fadromave të ndërtimores kanë qenë 120 objekte si garazhe, dyqane apo shtesa pallatesh, të cilat me vendim të KRRT-së në bashki duheshin shembur. Aksioni i radhës u shtri në zonën rezidenciale të Durrësit, në lagjen 1 ku ndodhet edhe shëtitorja bregdetare "Taulantia". Sipas kreut të Inspektoratit të Ndërtimit, Afrim Bakaj, në Durrës ekzistojnë qindra objekte të tjera abuzive, të cilat do të jenë shënjestër e aksioneve të radhës. Falë këtij aksioni u fitua një hapësirë e konsiderueshme territor publik. Për sa i përket inerteve të mbetura, Bakaj shprehet se aksioni për shembjen parashikon edhe pastrimin e shesheve nga mbeturinat inerte. Atyre personave që kundërshtuan me forcë aksionin për prishjen, Inspektorati iu përgjigj duke i penalizuar me gjoba deri në 1 milion lekë të reja ose duke i çuar në gjyq. Pas përfundimit në shëtitoren bregdetare, aksioni për shembjen e objekteve të jashtëligjshme do të spostohet në lagjen numër 17 të Durrësit. Afrim Bakaj u shpreh se tashmë që sezoni turistik ka përfunduar do të ndërmarrim aksione masive për të rifituar hapësirat publike. o.u