E Diel, 1 Nëntor 2026

Një i plagosur, shpërtheu pakoja-bombë në Aeroportin e Frankfurtit



FRANKFURT- Një pako e vogël me eksploziv shpërtheu dje ndërsa kontrollohej nga dy agjentë të doganës në Aeroportin e Frankfurtit, duke plagosur lehtë njërin prej agjentëve dhe duke përhapur panik, njoftoi policia gjermane.
"Përmbajtja, origjina dhe adresa e pakos postare mbeten ende të panjohura", - njoftoi Policia e Frankfurtit përmes një komunikate. Nuk ka informacione që të vërtetojnë se pakoja ishte një bombë, shtoi një zëdhënës i Policisë. Dy zyrtarë të doganës po hapnin pakon për të verifikuar përmbajtjen e saj, kur ajo shpërtheu. Incidenti në fjalë ndodhi në qendrën ndërkombëtare postare të aeroportit, më i madhi në Gjermani.

Izraeli, kundër Uashingtonit, nis ndërtimet në Bregun Perëndimor

TEL-AVIV - Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, ka autorizuar ndërtimin e 455 shtëpive të reja në vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor. Kjo është leja e parë për ndërtimin e shtëpive në këtë territor që prej ardhjes në pushtet të kësaj qeverie në mars të këtij viti. Ky hap shihet si një lloj sfide ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat i kanë kërkuar Izraelit të pezullojë të gjitha ndërtimet e reja në këtë zonë. Amerikanët e shohin pezullimin e punimeve për shtëpitë e reja si një kusht për rifillimin e bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme. Qeveria palestineze ka thënë se nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve në qoftë se Izraeli nuk e pezullon punën për ndërtimet e reja në këto vendbanime. Ndërtimet në territoret e pushtuara janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›