E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Ja pikat ku e kontestojmë Protokollin EULEX-Serbi



PRISHTINË - Protokolli ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë kontestohet në aspektin e procedurës, përmbajtjes dhe të palëve që përfshihen në të. Një qëndrim i tillë u artikulua dje në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Sipas një njoftimi për mediat pas mbledhjes, zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ka dhënë sqarime para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme rreth raportit të qeverisë me EULEX-in, veçanërisht lidhur me protokollin e bashkëpunimit EULEX - Ministri e Brendshme e Serbisë, i cili, siç është shprehur ai, kontestohet në aspektin e procedurës. Kuçi theksoi se protokolli është hartuar në bashkëpunim me Beogradin, pa u konsultuar me institucionet e Kosovës, dhe përmbajtja e tij prek sovranitetin e vendit dhe të palëve që përfshihen në të.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka pohuar se për përmbajtjen e protokollit është njoftuar vetëm më 27 korrik, pasi i kishte drejtuar një letër të hapur shefit të EULEX-it, Iv de Kermabo, kurse ka pranuar se ka presion nga segmente të ndryshme ndërkombëtare që Kosova ta mbështesë këtë dokument. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Sabri Hamiti, ka ritheksuar synimet e qarta të popullit të Kosovës për integrime evropiane, prandaj edhe për marrëdhënie të mira të bashkëpunimit me EULEX-in, por e ka konsideruar të domosdoshëm shqyrtimin e Protokollit të bashkëpunimit EULEX - Serbi. Qeveria e Kosovës, ka thënë ai, nuk ka pse t’i nënshtrohet dokumentit, i cili është kundër interesit të vendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Po kështu, nënkryetari i këtij komisioni, Xhavit Haliti, ka theksuar se qeveria e Kosovës duhet të marrë vendime në interes të vendit dhe jo nën presionin e opinionit dhe të medias. Shumica e anëtarëve të Komisionit janë pajtuar se teksti i dokumentit duhet amenduar konform realiteteve të reja pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›