Obama: “Nuk jam në dijeni për korrupsionin e guvernatorit”
"Nuk kam pasur kontakte me guvernatorin apo zyrën e tij dhe për pasojë nuk jam në dijeni për ato që kanë ndodhur”, - kjo ka qenë deklarata e Presidentit të sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, pas arrestimit të guvernatorit të Illinoisit, Rod Blagojeviç. Guvernatori i Ililnoisit, shtetit të presidentit të sapozgjedhur Obama, u arrestua më 9 dhjetor nën akuzat se është përpjekur të shesë vendin e lënë bosh nga Obama në Senatin e SHBA-ve. Autoritetet federale thanë se guvernatori Bllagojeviç është i përfshirë në rrjetin e krimit të korrupsionit. “Sjellja më e rëndë e guvernatorit Bllagojeviç, që përfshihet në mesin e një numri akuzash të ngritura ndaj tij, është përpjekja për të shitur vendin e lënë bosh në Senat nga zgjedhja e presidentit Obama. Sipas ligjit të Illinoisit, ai ka pushtetin për të zgjedhur pasardhësin e Obamës në Senat”, - tha prokurori Patrik Fitzgerald, i cili shtoi se nuk ka asnjë provë që të tregojë se presidenti i ardhshëm amerikan ka pasur dijeni për veprimet e Bllagojeviçit.
Fuere: “Maqedonia, lidere në rajon për liberalizimin e vizave”
Maqedonia është lidere nga vendet në rajon në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, - deklaroi në Shkup ambasadori i BE-së, Ervan Fuere. Diplomati i BE-së vlerësoi lart qeverinë e Maqedonisë për përparimin që ka bërë në realizimin e pasaportave biometrike, sigurimin e dokumenteve, menaxhimin doganor, të azilit dhe migrimit, etj. “Komisionet e ekspertëve do të vijnë në Maqedoni për ta vlerësuar situatën dhe përderisa qeveria i plotëson të gjitha reformat, atëherë Komisioni do të ketë mundësi vendeve anëtare t’u propozojë lirim nga regjimi i vizave. Maqedonia është në rrugë të mirë. Ajo është lidere në rajon në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave”, - deklaroi Fuere. Ministria e Jashtme e Maqedonisë pret që në fillim të vitit 2009 KE-ja të iniciojë procedurën juridike në Këshillin e Bashkimit Europian për heqjen e vizave me Maqedoninë dhe hyrjen në fuqi të regjimit pa viza gjatë vitit 2009.
11 Dhjetor 2008