E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-të, thirrje EULEX-it për respektimin e pavarësisë së Kosovës



“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin shtrirjen më 9 dhjetor në të gjithë Kosovën të Misionit të Rendit dhe Ligjit në Kosovë (EULEX)“, - thuhet në deklaratën e dhënë nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak. “SHBA-të ritheksojnë mbështetjen për EULEX-in dhe janë krenare që mund të kontribuojnë me personel në këtë mision”, - thekson më tej deklarata. Në misionin europian SHBA-të kontribuojnë me një kontigjent prej 80 vetash, që do të jenë policë, gjyqtarë dhe prokurorë. “Jemi të zotuar për Misionin e EULEX-it dhe forcimin e institucioneve të ligjit në të gjithë Kosovën nga të cilat përfitojnë të gjitha komunitetet, duke promovuar integritetin territorial dhe stabilitetin në rajon”, - thekson deklarata e qeverisë amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar edhe më parë nevojën e shtrirjes së EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të plotë të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Në deklaratën për shtyp, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se SHBA-të janë krenare që kontribuojnë me trupat e tyre në këtë mision.

11 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›