Ahtisari në Kosovë: Pavarësia e pakthyeshme
Kosova festoi dje njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së vendit, mes pranisë së personaliteteve të lartë nga vendi dhe bota. I ftuar special në këtë përvjetor ishte ish-Emisari i OKB-së, Marti Ahtisari, i cili njihet si përpiluesi i dokumentit që çoi Kosovën drejt pavarësisë, mbi bazat e planit të të cilit është ndërtuar edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Në një fjalim në sallën e Parlamentit në Prishtinë, Ahtisari u duartrokit ndërsa tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. “Njohjet që po vijnë nga shtetet e botës janë dëshmia më e mirë për këtë”, tha Ahtisari duke vlerësuar se Kosova është në rrugë të mirë dhe Kushtetuta përmban aspiratat e qytetarëve. Ish-kryenegociatori iu bëri thirrje anëtarëve të minoritit serb që t’i kthehen institucioneve të Kosovës, ndërsa zyrtarëve në Beograd që të heqin dorë nga retorika dhe bllokimi i proceseve. Marti Ahtisari, fitues i Nobelit të fundit për paqen, u dekorua nga Presidenti Sejdiu me “Medaljen e Artë” të pavarësisë së Kosovës. “Ju siguroj që këtë medalje të pavarësisë do ta vendos në një vend të dukshëm në zyrën time të re në Helsinki, e cila përurohet sot”, tha ai. Presidenti Fatmir Sejdiu në shënimin e njëvjetorit kushtetues të Kosovës tha se, “Njëvjetorin po e shënojmë me një varg arritjesh. Kosova është pranuar nga 60 vende të globit. Është anëtarësuar në mekanizma të rëndësishme. Viti i dytë i pavarësisë na gjen me Forcën e Sigurisë së Kosovës”. Ahtisari shoqërohej nga zëvendësi i tij, diplomati austriak, Albert Rohan. Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger, i cili ka qenë përfaqësues i Bashkimit Evropian. Gjatë festimeve të njëvjetorit të Kushtetutës mungoi ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për negociatat e statusit, Frenk Uizner, për shkaqe shëndetësore.