E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Vota për Metën, xhuvelizëm

 

Burrel/ Hasan Pasha

Kryetari socialist Edi Rama u kërkoi dje votën banorëve të Burrelit, duke u thënë se do të jetë një kryeministër krejt ndryshe. Gjatë një mitingu në sheshin kryesor të këtij qyteti, Rama prezantoi kandidatët dhe programin qeverisës të socialistëve. “Unë nuk do të jem një kryeministër si Sali Berisha dhe të tjerë që janë provuar e stërprovuar dhe sot ua kërkojnë përsëri votën tuaj, megjithëse as nuk dinë dhe as nuk munden dhe as nuk duan të bëjnë ndonjë gjë tjetër, apo ndonjë gjë ndryshe nga ç’kanë bërë në këto 18 vjet”, tha Rama. Sipas tij, “vota për ta është vota për një tjetër qeveri e krijuar nga të njëjtët njerëz për të njëjtat interesa, për të njëjtat oborre familjare e klanore dhe për të bërë edhe katër vjet të tjera të njëjtat pazare e xhuvelizma si vitet që ikën, me të njëjtat rezultate dëshpëruese që prej 18 vjetësh i paguani vetëm Ju për një lojë që mund ta luajnë vetëm ata”. Duke folur për filozofinë e tij qeverisëse, Rama tha se do të sjellë qeverinë e tij aty ku shkroi programin e tij qeverisës. “Unë do të jem një kryeministër për Ju dhe do të jem bashkë me Ju, aty ku janë problemet, siç kam qenë katër vjet me radhë në opozitë për t’ju dëgjuar se mund të bëni për të dalë nga kjo situatë e patolerueshme dhe nesër jo më për të diskutuar për se si mund të bëjmë, por për ta bërë realitet atë që na duhet për Shqipërinë”, tha Rama. Kreu socialist nuk la pa akuzuar mënyrën se si po qeveris Sali Berisha. “Unë nuk do të jem kryeministri i një qeverie që bën biznes për një familje të vetme dhe ndan pasuritë e vendit me klientët e pushtetit të familjes kryeministrore, por do të jem kryeministri juaj dhe nuk do të rri në krye të qeverisë për t’ju mbajtur fjalime pa pika e pa presje nga tryeza e qeverisë siç bën Sali Berisha. As për t’ju treguar pse duhet të jeni të lumtur me Shqipërinë që e blejnë një euro familja ime, klientët e pushtetit të saj dhe shërbëtorët e qeverisë time, siç bën Sali Berisha, as pse duhet të jemi krenarë me tunele që hapen me gjysmën e parave tuaja, ndërkohë që gjysma tjetër, po e parave tuaja, shkon për shpenzime dhe qoka të familjes dhe të oborrit kryeministror siç bën Sali Berisha, as për t’jua ulur taksat dhe për t’ua rritur rrogat me dorën e djathtë dhe pastaj duke ua marrë lekët xhep më xhep me dorën e majtë siç bën Sali Berisha”, tha Rama. Duke folur për problemet e shumta me të cilat ndeshen sot qytetarët dhe duke folur për modelin ndryshe të qeverisjes së vendit nga ana e tij, kryesocialisti theksoi se, “më 28 qershor kemi mundësinë historike që të kapërcejmë përtej të majtës dhe të djathtës, për një shtet të të gjithë qytetarëve, për një shtet që u jep ujë, drita, punë, rend e siguri të gjithëve. Për një shtet që mbron pasuritë tona të përbashkëta, pronën dhe dinjitetin e gjithsecilit pa dallim. Ju e keni dëgjuar refrenin e vazhdueshëm të Sali Berishës duke më kërkuar mua që të vendos emrin tim në krye të listës së deputetëve, siç e ka vendosur ai”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›