E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk kemi nevojë për mercenarë politikë”

 

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka zhvilluar takime në qytetin e Pogradecit me anëtarë dhe simpatizantë të Demokracisë Sociale. Milo u foli të pranishmëve se, “Shqipëria nuk ka nevojë më për mercenarë politikë, Shqipëria ka nevojë për njerëz të ndërgjegjshëm që sakrifikojnë, Shqipëria nuk ka nevojë më për drejtues dhe qeveritarë që kur shkojnë në zyrën e tyre mendojnë se ç’do të bëjnë për xhepat e tyre. Shqipëria ka nevojë që kryeqeveritari dhe qeveritarët e tyre të mendojnë nga mëngjesi deri në darkë se çfarë u bënë sot shqiptarëve, sa prodhuan sot për shqiptarët, çfarë do bëjnë nesër, që jetën e shqiptarëve ta bëjnë më të mirë, pikërisht ky duhet të jetë shqetësimi i politikës shqiptare dhe jo se çfarë do të marrin për vete dhe për familjet e tyre”. Sipas tij, e majta ka një detyrë të madhe, por edhe të vështirë, të largojë qeverinë e Sali Berishës nga qeverisja e vendit. “Këtë nuk duhet ta shikojmë si një zëvendësim të një ekipi qeverisës me një tjetër, apo si një shprehje të rotacionit politik në Shqipëri. Këtë largim të kësaj qeverie nga pushteti ne duhet ta bëjmë në emër të interesave shumë të larta të vendit dhe të shqiptarëve”, tha Milo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›