Alarm në media për gafat e Berluskonit
Vizita e kryeministrit italian, Silvio Berluskoni në Uashington ka ngritur vigjilencën e të gjithë gazetarëve për të kapur ndonjë gafë të tij. Rrjeti BBC e ka emëruar artikullin dedikuar takimit të Berluskonit me presidentin Barak Obama, “Oh jo, Silvio!”. Dhe në përmbajtjen e tij shkruhet: “A do të mundet dot kryeministri italian ta kalojë këtë vizitë pa ofenduar askënd?”. Në veçanti BBC kujton gafën dopio të Berluskonit mbi ngjyrën e lëkurës së presidentit Obama pas fitores së tij në zgjedhjet e nëntorit 2008, “i ri, i bukur dhe i nxirë”, batutë që ka provokuar mijëra ankesa dhe kërkesa për falje. Një episod që Berluskoni e përforcoi gjatë nisjes në SHBA: “Po nisem atje i bukur dhe i nxirë”, tha ai. Në artikull krahasohet temperamenti i Berluskonit dhe hedhjes së vazhdueshme të batutave-gafa të tij dhe Obamës, gjithmonë i kujdesshëm dhe i kontrolluar. Obama dhe Berluskoni po diskutojnë për takimin e G8 në Itali dhe sigurinë në botë.