E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Vendimi për heqjen e vizave në rajon, brenda 2009

 

Ballkani ka hedhur edhe një hap tjetër drejt liberalizimit të vizave. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian mbështetën dje procesin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke rënë dakord të dërgojnë pranë Këshillit të Evropës kërkesën ligjore për liberalizmin e vizave në rajonin tonë deri në fund të vitit 2009. Sipas ministrit të Jashtëm slloven, Samuel Zbogar, raporti i fundit i Komisionit Evropian tregon se ka pasur “hapa të dukshme përpara prej të gjitha vendeve, nga të cilat disa i kanë përmbushur më mirë kriteret”. Këshilli ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për dialogun mbi liberalizimin e vizave bazuar në planin me kërkesa të qarta dhe reale dhe vlerësimet për arritjet në çdo vend. Këshilli i ka bërë thirrje të gjitha vendeve që të vazhdojnë të fokusohen në plotësimin e detyrave, duke mirëpritur arritjet e shënuara në raportin e fundit të paraqitur nga Komisioni Evropian për progresin me dialogun për liberalizmin e vizave me këto vende. Raporti reflekton progres të qartë të shënuar në kërkesat e BE-së për liberalizimin e vizave. Në këtë kontekst Këshilli inkurajon KE-në të paraqesë sa më shpejt të jetë e mundur një propozim ligjor bazuar në rregulloren 539/2001, siç aplikohet në vendet anëtare me qëllimin për të arritur një regjim të lirë vizash, në mënyrë ideale brenda vitit 2009 me vendet që do të arrijnë të përmbushin kërkesat deri në fund. Kështu, Komisioni Evropian do të ketë gati propozimin ligjor për liberalizmin e vizave përpara pushimeve të tij të verës për të siguruar udhëtim pa viza në zonën Shengen për qytetarët e Ballkanit Perëndimor që do të përmbushin kriteret. Propozimi u citua nga Komisioneri evropian për Zgjerim, Olli Rehn, gjatë takimit të Luksemburgut më 15 qershor 2009. Në një konferencë për shtyp pas takimit ai njoftoi bashkë me ministrin e Jashtëm çek, Jan Kohout, se ministrat e Jashtëm të BE-së kanë rënë dakord të inkurajojnë KE-në mbi këtë nismë. Vendet e diskutuara janë Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Megjithatë, jo të gjitha vendet kanë bërë progres të plotë për t’u përjashtuar nga kërkesat e mëtejshme për liberalizimin e vizave, që do të thotë se vetëm disa prej tyre mund të përfitojnë nëse merret vendimi për të zgjeruar “listën e bardhë” Shengen deri në fund të vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›