E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Pas 28 qershorit qeveris e majta e bashkuar

 

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi një miting masiv në qytetin e Gramshit. Gjatë fjalës së tij, Meta tha se e majta e bashkuar do qeverisë vendin pas 28 qershorit. “E kemi thënë në mënyrë shumë të qartë se pas 28 qershorit do të bëjmë koalicion me Partinë Socialiste dhe na vjen shumë keq për ata të cilët ende nuk prononcohen se me kë do të bëjnë koalicion mbas 28 qershorit. Megjithatë të jeni të sigurt se e majta dhe progresistët do të bashkohen më 29 qershor, dhe unë do t’i ftoj të gjithë, Ramën, Nanon, Gjinushin, Milon dhe të gjithë për t’u bashkuar në një qeveri për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike dhe për të çuar në pension njëherë e përgjithmonë Sali Berishën, për të larguar varfërinë dhe papunësinë nga Gramshi”, tha Meta. Duke vazhduar më tej, Meta u shpreh se “dikush më pyeti pse na ka rënë numri 24 i LSI në listën e partive për datën 28 qershor. Unë po ju them, sepse shqiptarët presin nga LSI dhe Ilir Meta nga ardhja në pushtet të angazhohemi 24 orë në 24 orë për të nxjerrë vendin nga kriza, për t’ju ofruar shqiptarëve punësim, për t’ju dhënë familjeve shqiptare mundësinë për të jetuar me dinjitet.
Në fjalën e tij në këtë miting, Meta u shpreh se “jam shumë i lumtur, sepse së bashku me ju mezi po presim 28 qershorin, ditën kur populli me votën e tyre do të sjellë fitoren e LSI-së.
Në 28 qershor, u shpreh kreu i LSI-së, fituesja e zgjedhjeve është e majta, sepse fituesja e vërtetë është Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse ajo vendos shumicën e ardhshme parlamentare, ajo vendos qeverinë e ardhshme. Të gjithë socialistët dhe progresistët në Gramsh dhe në të gjithë Shqipërinë, e dinë shumë mirë se kush ia ka treguar ligjin Sali Berishës, dhe e dinë shumë mirë se kush do ta largojë Sali Berishën në 28 qershor dhe ky është Ilir Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.         a.l.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›