E Diel, 1 Nëntor 2026

“Votoni nr. 3, s’kam lidhje me Ndokën”

 

Nga Gjadri i komunës së Dajçit në qarkun e Lezhës, kryetari i lidhjes Demokristiane shqiptare, Nikollë Lesi, i bëri sërish thirrje elektoratit që ta mbështesin atë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit. Sipas Lesit, “këtij qarku i duhet të zgjedhin njerëzit kurajozë e që i përfaqësojnë denjësisht në Kuvend, e jo siç ka ndodhur tash sa vite, ku në parlament kanë shkuar njerëz që nuk dinë të flasin apo të kërkojnë zgjidhjen e halleve të popullit, ‘deputetët e pilafit’”. Lesi kërkoi nga zona e Zadrimës që ta votojë në shumicë dërrmuese, pasi kishte besim se hallet e zonës do t’i kërkonte publikisht në Kuvend të zgjidheshin në kohë sa më të shpejtë. Më pas ai sqaroi se ata që duan vajtjen e Lesit në Parlament duhet të votojnë numrin tre në fletën e votimit. Lesi bëri të ditur gjithashtu për banorët e zonës se nuk ka asnjë lidhje politike me Partinë Demokristiane të Nard Ndokës. “Ata kanë shkelur parimet demokristiane dhe e kanë shndërruar atë parti në një formacion me njerëz, të cilët nuk lidhen me parimet demokristiane e që synojnë futjen në parlament për interesa personale”, vijoi më tej lideri i LDK-së. Në fund Lesi ka takuar edhe banorët e Bregut të Matit dhe Milotit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›