E Diel, 1 Nëntor 2026

Aida Shtino bie në gjurmët e Dorjan Nurçes në shtetin anglez

Këtë të shtunë, “Njerëz të humbur” në “Vizion plus” solli në vëmendjen e teleshikuesve historinë e humbjes së një emigranti të quajtur Dorjan Nurçe. Prindërit e tij teksa kanë qenë në studio i kanë rrëfyer Aida Shtinos historinë e humbjes së djalit. Dorjani niset në drejtim të Italisë në muajin nëntor të vitit 1998. Përpara se të largohej, ai i ka thënë prindërve se udhëtimi do të realizohej me skaf. Ankthi te Skënder dhe Elmaz Nurçe filloi të rritej pasi rruga që mori djali nuk ishte totalisht e sigurt. Pasi mbërrin atje, ai lajmëron familjen e tij për t`u thënë atyre se ndodhej shëndoshë e mirë. Gjatë kësaj kohe, ai ka jetuar në zonën e Narjanos, Romë, tek i vëllai i tij, Adriatiku. Ata punonin të dy bashkë në shtrimin e pllakave dhe kishin kontakte të rregullta me familjen në Shqipëri. Dori kërkonte të largohej në Holandë për një jetë më të mirë. Mirëpo dijeni për këtë gjë kishte vetëm vëllai i tij i madh, ndërsa prindërit nuk dinin gjë. Fillimisht, djali shkon në Angli te një person i quajtur Elidon Merko, i cili banonte aty prej vitesh. Për herë të fundit ai i ka telefonuar familjes ku i thotë se gjendej në sheshin qendror të kryeqytetit hollandez, Amsterdam. Ai kishte zënë shoqëri me dy shokë, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Durrësi. Babai e porosit që të mos merrte rrugë të keqe, ndërsa djali i premton se do të fillonte punë në një restorant italian. Më pas, çdo kontakt ndërmjet tyre u ndërpre. Pas denoncimit të rastit në “Njerëz të humbur” filluan kërkimet e para fillimisht në Itali dhe më pas në Hollandë. Dy kushërinjtë e Dorit, Idaiu dhe Ilirjani, pohuan se nuk kishin dijeni për identitetin italian të përdorur nga Dori për të kaluar në Hollandë. Këtë pasaportë ia kishte siguruar një shtetas kosovar kundrejt një shume prej 400 mijë liretash. Investigimeve të gazetarëve iu bashkëngjitën dhe informacionet e ardhura natën e së shtunës në “Njerëz të humbur”. Fakti i parë kishte të bënte me një djalë të quajtur Genti, i cili kishte në pronësi një berberhane. Në bazë të verifikimeve paraprake rezultoi se djali kishte qenë atje vetëm pak para ditësh dhe vendbanimi i tij prej shumë vitesh ishte shteti anglez. Por ky nuk do të ishte i vetmi lajm për Dorin. Të tjerë telefonues, emigrantë shqiptarë nga Londra, pohuan të njëjtën gjë për djalin vlonjat. Pas 8 vitesh, familja Nurçe merr vesh nga “Njerëz të humbur” një shenjë jeshile, e cila pritet të konkretizohet javën në vazhdim për të pasur ndoshta në studio zërin e Dorjan Nurçes.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›