Largohet me eksodin e vitit ’91 dhe humb pa lënë asnjë shenjë
Ai iku në një kohë të vështirë, pa e ditur se ku po shkonte dhe se çfarë e priste. Mes largimit masiv të shumë shqiptarëve në vitet ‘90 ishte edhe djali nga Vora, Ramazan Subashi. Megjithëse e ardhmja e tij ishte e errët, ai vendosi të marrë rrugën për një jetë më të mirë. Por asnjëherë nuk u mor vesh nëse ai arriti të shijonte sadopak atë ëndërr që e kishte menduar për vite e vite…Pas 17 vitesh, ai rezulton i humbur dhe në skajet e dhimbjes së thellë familja Subashi tregon detajet e ikjes dhe të zhdukjes së djalit të tyre
Historia
Në datën 6 mars të vitit 1991, Ramazani i kishte kërkuar babait pasaportën dhe librezën ushtarake. Fadili, i ati i Ramazanit, e kishte kuptuar qëllimin e djalit për t’u larguar jashtë shtetit dhe, duke qenë se akoma ekzistonte frika e arrestimit nga sistemi i atëhershëm, refuzoi t’ia jepte. Por Ramazani i ishte shprehur se këto dokumente ia kërkonin në punë dhe kështu kishte arritur t’ia merrte. Kishte marrë rrugën për në punë dhe pasi kishte ndarë gazetat e mëngjesit ishte drejtuar për në Durrës. Po në atë mëngjes të 6 marsit, ai kishte hipur në tragetin e parë që shkonte drejt Italisë bashkë me shumë klandestinë të tjerë. Pas një udhëtimi të frikshëm ku jeta nuk ishte aspak e sigurt, fatmirësisht ai mbërrin në Itali dhe vendoset në Firence. Aty Ramazani bashkohet me katër persona të tjerë nga vendlindja e tij. Për disa muaj ai do të qëndronte në një qendër spitalore, e cila ishte kthyer përkohësisht në azil emigrantësh. Dashurinë dhe kujdesin për familjen vazhdoi ta tregonte me anë të telefonatave përreth 3 muaj në vazhdim dhe me anë të një letre, e cila ruhet me shumë fanatizëm nga familja e tij. Në muajin qershor të vitit 1991, ai largohet drejt shtetit të Zvicrës nga ku nuk kontaktoi më kurrë me familjen. Katër personat që e shoqëruan drejt Zvicrës ishin Genc Kokalari (shok klase), Gac Ndreka (kunati i Gencit), Stiljano Abazi dhe Gëzim Medili, këta të fundit nga Vora. Familja ka tentuar shpesh herë të kontaktojë me këta persona, por Genc Kokalari dhe Gac Ndreka jetojnë në Kanada dhe nuk kanë pohuar asgjë për Ramazanin. Shokut tjetër, Gëzim Medilit, pasi u kthye nga Gjermania iu përkeqësua shëndeti dhe as ai nuk tha gjë. Ndërsa shoqëruesi tjetër, Stiljano Meta, jeton në Itali dhe nuk ka pranuar asnjëherë të flasë rreth fatit të Ramazan Subashit. Një person nga Marikaj ka dalë vite më vonë dhe ka pohuar se pasi kishin shkuar në Zvicër, Ramazani kishte dashur të rikthehej sërish në Itali. Shokët e tij i kishte kapur policia, ndërsa me Ramazanin nuk dihet se çfarë ndodhi. Endjet nëpër zyrat shtetërore i lodhën familjarët e Subashit, të cilët porsa panë emisionin “Njerëz të humbur” menduan të provonin edhe këtë shans të fundit për të kërkuar djalin e tyre.
Trajtimi në studio
Qarjet dhe lutjet e nënës plakë me shami të bardhë prekën shumë shqiptarë anembanë botës, të cilët nuk u kursyen të jepnin informacionet e tyre për Ramazanin, por edhe të tregonin gatishmërinë e tyre për të ndihmuar për çdo gjë që t’u jepej mundësia. Gjatë trajtimit në emisionin e Aida Shtinos në “Vizion plus” u hodhën dy pista kryesore për vendndodhjen e Ramazan Subashit. Më të shumtat informacione vinin nga Austria ku njerëz të ndryshëm pohonin ekzistencën e 41-vjeçarit në këtë vend dhe, sipas tyre, ai ishte pajisur me pasaportë dhe ishte i martuar. Por një tjetër pistë e mundshme ishte edhe ajo e Zvicrës nga ku djali thuhet se ka humbur kontaktet. Por të gjitha këto mbeten për t’u verifikuar pasi largimi i tij është prej një kohe të gjatë dhe kërkimet duhet të kenë baza të forta.
4 Mars 2008