E Diel, 1 Nëntor 2026

“Njerëz të humbur” gjen në Francë 25 –vjeçaren nga Mitrovica

“Po shkoj të kuroj dhëmbët te dentisti”, - këto ishin fjalët e fundit që një 25-vjeçare nga Mitrovica e Kosovës i tha familjes së saj para se të humbte përgjithmonë lidhjet me ta. Shqiptarja mitrovicare doli nga shtëpia më 6 prill të vitit 1998. Në pamjen e saj flinte një qetësi plot besim e aspak dyshuese për të afërmit e saj. Ajo papritur kishte vendosur të largohej nga vendlindja sa hap e mbyll sytë, me dëshirën për të ndjekur një ëndërr të vjetër, larg, shumë larg njerëzve të dashur.
Asnjëra prej tri motrave të saj nuk e kishte menduar se 6 prilli i 1998-s do të ishte dita e një humbjeje të tmerrshme për familjen. Violeta Peçi u largua nga Mitrovica kur ishte vetëm 25 vjeçe, pa lënë asnjë gjurmë për të afërmit, të cilët nuk rreshtën së kërkuari për të kudo dhe në çfarëdo mënyre. Pas 21 ditësh nga largimi i saj misterioz e i papritur, Violeta telefonon në familje nga Shtutgarti i Gjermanisë. Të gjithë qetësohen dhe pushojnë çdo kërkim që kishin nisur në mënyrë intensive për gjetjen e saj. Ajo u tha motrave se ishte shëndoshë e mirë dhe të mos bëheshin merak për të. Por ankthi i familjes Peçi nuk ishte e thënë të përfundonte me kaq. Gjithçka do të niste sërish nga fillimi. Violeta komunikoi rregullisht me familjen e saj deri më 4 janar të vitit 2001. Pas kësaj dite gjithçka do të rrethohej nga një vel i frikshëm hijeje për prindërit dhe të afërmit e tjerë të Violetës. Humbja e dytë i shqetësoi edhe më tepër familjarët e saj, të cilët panë si mundësi të vetme shpëtimi vetëm emisionin “Njerëz të humbur”. Një javë më parë, gjatë orëve të vona të transmetimit të këtij emisioni, telefonuan disa persona që dëshmuan se e kishin parë Violetën në Francë. Kursi i kërkimeve të gazetarëve ndryshoi menjëherë nga Gjermania në shtetin tjetër europian, atë të Francës. “Njerëz të humbur” filloi të investigojë mbi çdo informacion të marrë për Violetën në shtetin francez. Disa persona kishin deklaruar se ajo punonte në një spital. Pas disa kërkimeve të njëpasnjëshme, ”Njerëz të humbur” arritën të gjenin vendndodhjen e saktë të Violetës. Ajo ishte larguar nga Gjermania në vitin 2001 dhe kishte emigruar në drejtim të Francës. Aktualisht është e martuar me një shtetas francez me të cilin ka një djalë, ndërsa punon si pastruese në një spital pedriatik. Për këtë lajm familja Peçi nuk ishte në dijeni, teksa njëra prej motrave të Violetës ishte duke udhëtuar kilometra të tëra për të qenë e pranishme në studion e “Njerëz të humbur”, në “Vizion plus”, me shpresën për të marrë një lajm të mirë. Pas një bisede me Aida Shtinon, Burbuqes, motrës së Violetës, iu tha se “Njerëz të humbur” kishte gjetur dhe kishte komunikuar tashmë me motrën e saj. Burbuqja foli drejtpërsëdrejti me motrën e saj Violetën dhe të dyja shpërthyen në lot teksa dëgjonin zërin e njëra-tjetrës përmes telefonit. Ata i premtuan njëra-tjetrës se nuk do t’i shkëpusnin më kontaktet. Ky ishte fundi i lumtur për familjen Peçi nga Mitrovica, duke i lënë kështu radhën të tjera familjeve që janë në pritje të flasin me të afërmit e tyre të humbur prej vitesh.

4 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›