Aimar: Nuk kemi frikë nga Barça
05/05/2005 Sulmuesi argjentinas i Valencias, Pablo Aimar, pranon se Barcelona i ka të gjitha mundësitë për t’u shpallur kampone e Spanjës, por njëkohësisht siguroi se kryesuesit nuk do të largohen me tre pikë nga “Mestaja”. “Barcelona ka një avantazh të madh ndaj Realit dhe ka shumë pak mundësi që të shpërdorojë 6 pikë në 4 ndeshjet e ardhshme, por Valencia i ka të gjitha mundësitë të fitojë, sepse Barça nuk e ka pasur asnjëherë të lehtë përballë nesh”, deklaron fantazisti argjentinas, i cili nuk i ka humbur shpresat për një vend në Ligën e Kampioneve: “E dimë që mund të fitojmë katër ndeshje rresht dhe kemi besim te forcat tona, megjithëse do të jetë e vështirë. Kemi gabuar shpesh javët e fundit, por edhe rivalët tanë po ecin me të njëjtin ritëm, ndaj kam besim se do të renditemi në vendin e katërt në fund të sezonit”. Megjithatë, Sevilja e vilareali duken një hap përpara dhe Aimar e pranon këtë fakt: “E dimë që është shumë e ndërlikuar, sepse Sevilja është shumë përpara, ndërsa Vilareali po merr rezultate shumë të mira, por përsa kohë na lejon matematika, do ta provojmë, duke filluar nga kjo javë”, vazhdon Aimar, i cili tregon edhe “çelsin” për të mundur Barçën: “Forca jonë qëndron te fakti që jemi një skuadër e bashkuar, që vrapojmë shumë dhe në bllok. Në këtë mënyrë kemi pasur rezultate të mira dhe do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë edhe kundër Barcelonës, të cilën nuk e kemi frikë”, përfundon argjentinasi i Valencias.