E Hënë, 2 Nëntor 2026

Brazili shqetëson Milanin e Juven

05/05/2005  Milani e Juventusi rrezikojnë të përfundojnë me pikë të barabarta në kampionat dhe në këtë rast, do të jenë të detyruara të luajnë edhe një takim shtesë për të përcaktuar skuadrën kampione. Por një mundësi e tillë frikëson drejtuesit e të dyja skuadrave, sepse mund të jenë të detyruar të përballen pa lojtarët brazilianë. Kjo për faktin se Emerson, Dida, Kaka e Kafu duhet të marrin pjesë me Kombëtaren e tyre në Kupën e Konfederatave, që do të zhvillohet në Gjermani. Një çështje që mund të hapë një “lumë” polemikash dhe që prek jo vetëm dy kryesueset e Serisë A, por edhe Interin e Romën, që duhet të heqin dorë nga brazilianët e tyre. Nga ana tjetër, përplasja e datave nuk lë asnjë rrugë shpëtimi. Në 4 dhe 8 qershor Brazili do të ndeshet me Paraguajin e Argjentinën për eliminatoret e Botërorit 2006, ndërsa në 11 qershor Seleçao do të fillojë përgatitjet për Kupën e Konfederatave. Ndërkohë, dy sfidat shtesë, nëse Milan e Juve do të përfundojnë me pikë të barabarta, janë në program në 14 dhe 18 qershor. Ndërsa në 12 dhe 15 qershor janë datat e finaleve të Kupës së Italisë. Një situatë me të vërtetë delikate, sepse Federata braziliane ka bërë të ditur se nuk do të bëjë asnjë lëshim: “Do të çojmë në Gjermani skuadrën më të mirë, pavarësisht nga impenjimet me klubet”. Edhe presidenti i Ligës Italiane dhe Milanit, Adriano Galiani, e kupton situatën e ndërlikuar: “Është një problem shumë i madh dhe kam biseduar edhe me Karraron për këtë problem. Megjithatë, mos të nxitohemi, sepse nuk është e thënë që të ketë ndeshje shtesë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›