E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mançini - Adriano, vazhdojmë problemet

05/05/2005  Pas “ngricës” së muajve të fundit, mungesa e mundshme e brazilianit në Kupë ka ftohur më tej marrëdhëniet

Interi nuk gjen asnjëherë qetësi, edhe kur gjërat duket se po ecin mirë dhe po hidhen baza të sigurta për sezonin e ardhshëm. Në plan të parë, përsëri marrëdhënia midis trajnerit Mançini e Adrianos, që kanë kohë që nuk shkojnë shumë mirë me njëri - tjetrin. Tani, objekt i problemeve mes tyre është grumbullimi i mundshëm i sulmuesit brazilian në Kombëtare, që do të bënte të humbiste dy ndeshjet e gjysmëfinales së Kupës së Italisë kundër Kaljarit, por edhe fakti që do të pushojë shumë pak gjatë verës. “I ftohti” i madh midis dy prej personazheve kryesorë të Interit e ka pasur zanafillën në derbin e kthimit në kampionat, ku Adriano e pa ndeshjen nga stoli për 80 minuta. Braziliani nuk e “kapërdiu” kollaj atë zgjedhje të Mançinit, ndërkohë që tani vjen edhe problemi i grumbullimit me Brazilin, që do të ketë impenjime pothuajse gjatë gjithë sezonit veror. Mançini, por edhe drejtuesit e klubit zikaltër, janë të bindur se Adriano ka nevojë për një periudhë absolute pushimi. “Dëmtimet e shpeshta të këtij viti janë fryt i mbilodhjes dhe përdorimit të tepërt të lojtarit gjatë vitit 2004”, vinte në dukje presidenti Faketi ditët e fundit. Por vera e talentit brazilian pritet të jetë shumë larg pushimeve, sepse përveç takimeve për eliminatoret e Botërorit 2006 (4 dhe 8 qershor), Kombëtarja braziliane do të marrë pjesë edhe në Kupën e Konfederatave, në program nga 15 deri në 29 qershor në Gjermani. Pikërisht ky impenjim 2-javor e ka vënë në alarm klubin zikaltër. “Do të flas me drejtuesit e Federatës Braziliane, sepse duhet të gjejmë një marrëveshje që të kënaqë ne, ata dhe lojtarin, që është një trashëgimi e rrallë e Interit dhe futbollit brazilian”, kishte shpjeguar Faketi, ndërkohë që Mançini nuk është treguar shumë diplomatik dhe i ka bërë thirrje brazilianit të flasë vetë me trajnerin e Brazilit: “Adriano ka pushim. Ne do të kërkojmë që të qëndrojë në shtëpi gjatë Kupës së Konfederatave, por besoj se duhet të jetë ai që t’ia thotë vetë trajnerit të Kombëtares”. Një mesazh i qartë, që braziliani nuk e ka pëlqyer, duke thënë se gjëra të tilla nuk i përkasin atij. Është e fundit e një serie të gjatë mosmarrëveshjesh midis Adrianos e Mançinit, ndërkohë që Reali pret dhe shpreson që “kupa” të mbushet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›