E Hënë, 2 Nëntor 2026

FMN, kontroll shpenzimeve të Qeverisë para zgjedhjeve

05/05/2005  Grupi i punës vjen për herë të dytë brenda dy muajve në Shqipëri

Som “Misioni i FMN-së dhe kontrolli mbi financat shqiptare bëhet në një kohë kur, mes ministrit të Financës dhe Bankës së Shqipërisë nuk është akoma e qartë nëse është tepruar apo jo me shpenzimet gjatë tremujorit të parë“

Misioni i FMN-së ka ardhur për herë të dytë brenda dy muajve në Shqipëri. Nga takimi në shkurt, duket se FMN-ja ka shkurtuar ndjeshëm ditët e vizitës për t’u takuar me qeverinë shqiptare, e cila, aktualisht ka hyrë në fushatën zgjedhore. Duket se FMN-ja ka qenë shumë e interesuar të kontrollojë treguesit makroekonomikë të tre muajve të parë të 2005-ës, mes të cilëve dhe shpenzimet publike. Misioni i FMN-së dhe kontrolli mbi financat shqiptare bëhet në një kohë kur, mes ministrit të Financave dhe Bankës së Shqipërisë nuk është akoma e qartë nëse është tepruar apo jo me shpenzimet gjatë tremujorit të parë. Banka e Shqipërisë ka nxjerrë nga kontrolli i saj, se qeveria e ka tejkaluar masën e shpenzimeve, duke iu referuar dhe faturave të larta që ka në prag të zgjedhjeve. Por ministri i Financave ka sqaruar menjëherë në një konferencë për shtyp se e ka mbajtur nën kontroll vëllimin e shpenzimeve, edhe pse në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rezulton se qeveria ka shpenzuar rreth 3.4 miliardë lekë më shumë. Në këtë volum, shpenzimet korente zinin 87 për qind të shpenzimeve, çka do të thotë se qeveria ka rritur në mënyrë të ndjeshme shpenzimet e veta dhe jo ato për investime. Situatën e bilancit financiar, ministri i Financave e ka prezantuar para FMN–së në takimin e parë, duke deklaruar se ka patur një dinamikë të kënaqshme në lidhje me shpenzimet buxhetore dhe borxhin publik, të cilat, sipas Malajt, kanë qenë në përputhje me parashikimet në Buxhetin e Shtetit. Malaj ka deklaruar para Misionit të FMN–së se, tashmë vigjilencën për kontrollin e shpenzimeve publike nuk do ta ketë vetëm Ministria e Financave në dorë, por dhe Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave, si një strukturë paralele brenda ministrisë që do të merret drejtpërdrejtë me programimin dhe monitorimin efektiv të shpenzimeve buxhetore. Duke reklamuar punën që ka bërë deri më sot qeveria, përmirësimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë fiskale, nëpërmjet rritjes së të ardhurave dhe disiplinimit të shpenzimeve, ministri Malaj ka kujtuar se janë duke u marrë të gjitha masat për të përmirësuar cilësinë e punës në administratën tatimore dhe doganore. Gjithsesi, kontrolli i parë mbi 600 tatimorët tregoi se gjysma e tyre nuk meritonin vendin e punës dhe duhet të ritestohen, duke treguar se akoma sot administrata nuk është e përgatiur profesionalisht për të bërë punën.

Ky ishte takimi i parë i punës në axhendën dyjavore të Misionit të FMN-së, që më pas do të vazhdojë me takimet me të gjitha ministritë e linjës si dhe Bankën e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›