Kapelo me tre sulmues në “San Siro”?
05/05/2005 Sa vjen e rritet tensioni në ambientin bardhezi, në prag të sfidës kundër Milanit, që do të përcaktojë me shumë mundësi fituesen e titullit. Për këtë ndeshje, Fabio kapelo po provon të gjitha skemat e mundshme dhe nuk dëshiron t’i lërë asgjë rastësisë. Formacioni për sfidën e “San Siros” është gati, në rast se nuk do të ketë surpriza të momentit të fundit, por trajneri bardhezi është duke eksperimentuar për zgjidhje të tjera. Midis tyre, është dhe ajo e tridhëmbëshit në sulm, që është përdorur edhe më parë gjatë këtij sezoni. Vështirë se skema me tre sulmues do të përdoret që nga fillimi, por duke parë shifrat, do të ishte më e dobishme nëse do të nisej që nga minuta e parë. Skema me tre sulmues është përdorur nga Kapelo 5 herë që nga minuta e parë dhe të gjitha ndeshjet janë mbyllur me fitoren e bardhezinjve. Ndërkohë që 3 herët e përdorura gjatë ndeshjes, rezultatet nuk kanë qenë të shkëlqyera, sepse janë rregjistruar vetëm barazime, dy prej të cilëve pa gola. Përsa i përket formacionit, Del Piero ka fituar pikë kundrejt Zalajetës, ndërkohë që Apiah duket favorit për të zënë vendin e Blazit në qendër të fushës. Pjesa tjetër e skuadrës është ajo e zakonshmja, me rikthimin e Trezegesë si titullar në qendër të sulmit.