E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajaksi interesohet për portierin Shpëtim Moçka

• Portieri i talentuar i Flamurtarit, 17-vjeçari Shpëtim Moçka, mund të bëhet portieri i dytë shqiptar, që mund të luajë për një nga ekipet më të famshme holandeze, Ajaksin e Amsterdamit.

Një i dërguar i “harkëtareve” do të mbërrijë në Shqipëri në fillim të muajit maj (6 maj) për ta ndjekur në aksion lojtarin e Shpresave. Moçka është duke bërë një paraqitje të jashtëzakonshme me formacionin vlonjat. Portieri u thirr edhe nga trajneri i Kombëtares U-21 për ndeshjen me Maqedoninë (miqësore) dhe Greqinë (zyrtare), por të shtyrë për shkak të pezullimit të Shqipërisë nga FIFA e UEFA. Testimi i portierit, pas vlerësimit të bërë nga i dërguari i Ajaksit, do të bëhet gjatë përgatitjeve verore, pas të cilit, nëse Moçka do të arrijë të bindë drejtuesit, atëherë do të kërkohet të blihet edhe kartoni i tij. Pas Arben Kasollit, i cili ka qenë pjesë e skuadrës së Ajaksit (portieri i tretë i saj), Moçka do të bëhet lojtari i tretë shqiptar që do të luajë në kampionatin holandez. Aktualisht me FC Groeningen luan kosovari shkodran Metaj. Skuadra holandeze njihet si një nga prodhuesit më të mëdhenj të talenteve dhe si një nga më produktivet në investimet e saj te futbollistët që premtojnë.
Pezullohet Salihi
Hamdi Salihi bën me dhembje koke trajnerin e ri të nënkampionëve të Austrisë. Sulmuesi shqiptar, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i SV Ried, do të mungojë për shkak të kartonëve në derbin kundër LASK, në javën e Bundesligës austriake, kur kanë mbetur edhe tre javë për t’u luajtur nga përfundimi i sezonit. “Ky është një problem i madh. Ndryshime të mëdha në formacionin e Riedit nuk priten, por pezullimi i Hamdi Salihit na kushton pasi dhe alternativat janë të rralla”, shkruan omnahrichten.at. Në ndeshjen e fundit kundër Vaker Insbruk të humbur 1-0, Hamdi Salihi u pengua në zonë, por ndërsa shqiptari kërkoi penallti, ai u ndëshkua me karton të verdhë, që solli edhe humbjen e ndeshjes me LASK. Salihi është lojtari i dytë më i aktivizuar në ekipin e tij, me plot 2528 minuta lojë, 12 gola (2 asistë).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›