E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The Times”: Negociata të reja Prishtinë-Beograd

• Sipas të përditshmes britanike “The Times”, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, mund të emërojë së shpejti një negociator të ri për bisedime të reja mes Prishtinës dhe Beogradit.

Vendimi është marrë pas kërcënimeve të Rusisë se do ta bllokojë mandatin e tij të dytë si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, për shkak të qëndrimit të tij mbi Kosovën, shkruan gazeta e përditshme britanike. “Rusia ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i KB, Ban Ki Mun që të injorojë, ose të paktën të prolongojë afatin prej 120 ditësh për transferimin e kompetencave nga misioni i Kombeve të Bashkuara tek institucionet e Kosovës, të cilat siç theksohet, skadojnë më 16 qershor”, shkruhet në artikull. Sipas njoftimeve të kësaj gazete, ndërmjetësi i ri në bisedime mund të ishte francezi Zhan Mari Geno, një nga zyrtarët në largim të Kombeve të Bashkuara për operacione paqësore. “Kjo mund të çonte Kosovën në një periudhë të re tranzitore, pa status të qartë, me gjithë faktin se autoritetet e atjeshme, më 17 shkurt shpallën pavarësinë e nga Serbia”, citohet më tej. Gazeta nënvizon se Ban Ki Mun është gjendur midis fuqive të mëdha, të cilat për Kosovën kanë qëndrime të kundërta dhe se me atë rast nuk mund të shmangë deklarimin, sepse misionin e KB në Kosovë duhet të trashëgojë misioni i BE-së, thekson “Times”. Ndërkohë zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, tha për radion “Blue Sky”, se Kosova dhe Serbia mund të diskutojnë vetëm si dy shtete fqinje të pavarura. “Mirëpo, sa i përket realitetit të ri politik në vend, çdo gjë është e përfunduar”, tha Kuçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›